“Probleme me ftohjen e reaktorëve, po shkojmë drejt katastrofës”: Ukraina jep alarmin për centralin bërthamor
Ministria e Jashtme në Ukrainë ka konfirmuar se ka të vdekur dhe të plagosur nga sulmi rus në centralin më të madh bërthamor në Zaporizhja, në jug të Ukrainës.
“Disa njerëz janë vrarë ose plagosur në zjarrin që shpërtheu nga bombardimet ruse të një centrali bërthamor ukrainas. Po hasen probleme në ftohjen e reaktorëve pas ndërhyrjes së forcave ruse dhe kjo mund të çojë drejt katastrofës”, tha Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës.
Punonjësit po monitorojnë centralin për t’u siguruar që po funksionon në mënyrë të sigurt. Nivelet e rrezatimit janë aktualisht normale, thotë ministria në një deklaratë në Facebook. Por nga procesi i ftohjes së reaktorëve mund të ketë pasoja radioaktive në shkallë të gjerë.
“Mijëra njerëz, përfshirë civilët që aktualisht nuk janë në gjendje të evakuojnë zonën pranë uzinës për shkak të bombardimeve dhe luftimeve të vazhdueshme, do të lëndoheshin nga kjo”, thuhet në deklaratë.
Në një linjë me reagimin e presidentit ukrainas, ministria thotë se një fatkeqësi bërthamore në Zaporizhzhia mund të jetë më katastrofale se shpërthimet e mëparshme në centralet bërthamore, si Çernobil dhe Fukushima.
“Rusia me vetëdije ka ndërmarrë një sulm në centralin e energjisë bërthamore, një veprim që shkeli të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare”, shtohet në deklaratë.
Ministria i kërkon komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë për të detyruar trupat ruse të largohen nga zona, për të garantuar sigurinë e saj.
Rruga Press