Prishtinë, lista e përfituesëve të subvencioneve për pemëtarët dhe bletarët shtyhet për vitin 2021
Më 20 tetor 2020 Komuna e Prishtinës ka hapur thirrje për subvencione në pesë sektorë të Bujqësisë (Blegtori, Shpezëtari, Perimtari, Pemëtari si dhe Bletari), për përkrahje me pagesa direkte.
Kjo thirrje ishte planifikuar të mbyllej më 3 nëntor, por si shkak i numrit të madh të aplikuesëve kjo thirrje u shtye deri më 6 nëntor.
Deri tani është përfunduar vetëm lista e përfituesëve të tre sektorëve, kurse sektori i pemëtarisë dhe bletarisë nuk janë bërë ende publike.
Kjo sipas Shkumbin Gashit, drejtor i Bujqësisë në Komunën e Prishtinës, ka ndodhur si shkak që disa anëtarë të komisionit që merren me hartimin e kësaj liste kanë qenë të prekur me virusin COVID-19.
Gashi tutje shtoi se shpresojnë që këto mjete të barten në vitin 2021, dhe të procedohet tutje me punët e mbetura.
“Pas mbylljes së këtyre thirrjeve për aplikim, komisioni i përbërë nga 5 anëtarë ka filluar me shqyrtimin e kërkesave dhe vizitave në teren. Duke marrë parasysh kohën dhe situatën e krijuar nga pandemia COVID-19, nuk kemi mundur të përfundojmë dy nga pesë thirrjet e shpallura të cilat janë sektori i pemëtarisë si dhe sektorin e bletarisë, pasi që tre nga pesë anëtaret e komisionit janë pozitiv me virusin corona. Mjetet e destinuara për këto dy linja janë nga të hyrat vetanake dhe shpresojmë që në mirëkuptim me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, do të barten në vitin pasues 2021, ku do të bëjmë realizimin e punës së mbetur”, ka thënë Gashi