KryesoreLajme

Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti nderohen me çmimin “Alumni Nderi” nga Universiteti i Prishtinës

Në një ceremoni solemne të mbajtur në Prishtinë më 7 tetor 2025, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” nderoi Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, dhe Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me çmimin “Alumni Nderi i UP-së”, një mirënjohje për kontributin e tyre në zhvillimin e shtetit dhe përfaqësimin e denjë të vlerave akademike të universitetit.

Në fjalimin e tij, rektori prof. Arben Hajrullahu theksoi se Universiteti i Prishtinës ka qenë gjithmonë një nga shtyllat kryesore të formimit të elitës intelektuale dhe politike të vendit. Ai kujtoi rrugëtimin historik të universitetit që nga themelimi në vitin 1969, duke nënvizuar rolin e tij në proceset e përndritjes dhe të shtetndërtimit të Kosovës.

Lexo më shumë  Shtimi i masave të sigurisë për prokurorët e SPAK/ Këlliçi: Alarm! Rama po vepron me metoda mafioze

“Ka pak ose fare hiç universitete në botë që i kanë ndihmuar aq shumë shtetësisë së një vendi, sa Universiteti i Prishtinës Kosovës”, u shpreh Hajrullahu.

Rektori përmendi gjithashtu përpjekjet e UP-së për rritjen e cilësisë akademike, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe avancimin digjital, duke veçuar programe të përbashkëta me universitete prestigjioze si Universiteti Teknik i Vjenës dhe Universiteti i Qytetit të Dublinit.

Gjatë fjalës së tij, ai rikujtoi edhe figurat që janë nderuar me tituj të lartë nga UP-ja, përfshirë profesorin japonez Hisashi Owada, ish-kryetar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili u shpall “Doctor Honoris Causa” në qershor të këtij viti.

Lexo më shumë  “Vajzat janë të mrekullueshme si gjithmonë” ─ Pas publikimeve të bisedave me Epsteinin, jep dorëheqjen Lajçaku

Në përfundim të ceremonisë, rektori Hajrullahu dorëzoi çmimin “Alumni i Nderit” Presidentes dhe Kryeministrit, duke vlerësuar kontributin e tyre për lirinë, zhvillimin dhe avancimin e Republikës së Kosovës.

“Ju, të diplomuar të UP-së, me përpjekjet për një shtet të së drejtës dhe një Kosovë më të fortë, e bëni krenar Universitetin e Prishtinës,” – u shpreh rektori.

YouTube player