Presidentja Osmani: Ta ngremë zërin kundër dhunës mbi baza gjinore
Sot ka filluar fushata “Ditët e Aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”.
Në hapje të kësaj fushate kanë marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të cilat kanë vendosur shenjat e duarve me ngjyrë mbi transparentin “Ato janë ne”.
“Sot po i fillojmë 16 ditët e aktivizimit kundër dhunës mbi baza gjinore. Jemi këtu për ta ngritur edhe një herë zërin tonë kundër dhunës me baza gjinore dhe për të thënë se ky aktivizim ndaj këtij fenomeni jashtëzakonisht të dëmshëm për shoqërinë tonë duhet të jetë çdo ditë të vitit dhe jo vetëm tani”, tha presidentja Osmani.
Gjatë këtyre 16 ditëve me plot aktivitete, ajo tha se synohet të ngritin vetëdijen kundër dhunës mbi baza gjinore, dhunës në familje, dhunës ndaj grave në përgjithësi dhe dhunës ndaj vajzave në çdo ambient.
Osmani tutje tha se po punojnë që t’i ashpërsojnë dënimet ndaj atyre që kryejnë dhunë.
“Në Kosovë ka pasur raste të shumta të dhunës mbi baza gjinore dhe bashkë me ministren e Drejtësisë kemi punuar gjatë këtij viti, që jo vetëm të ashpërsohen dënimet ndaj atyre që kryejnë këto vepra të tmerrshme penale, por në të njëjtën kohë që të punojmë së bashku me të gjitha institucionet në mënyrë që të kemi edhe parandalimin e këtij krimi. Jo dënim vetëm pasi që të ndodhë krimi”, tha Osmani, duke u bërë edhe një herë thirrje vajzave dhe grave që ta ngritin zërin kundër dhunës.
Edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci kërkoi që të raportohet dhuna dhe dhunuesit të marrin dënimin maksimal. Ajo sqaroi se në të gjitha shkollat në vend nxënësit do të njihen me të drejta e tyre. Madje tha se edhe mësimdhënësit janë pajisur me informata për adresimin e këtyre rasteve.
“Në gjitha shkollat ka filluar një varg aktivitetesh në shkolla që të gjithë të njihen me të drejta e tyre, por edhe të raportojnë dhunën. Kemi përgatitur dhe shpërndarë informatorë edhe për mësimdhënësit tanë për të adresuar këto raste. Edhe kemi lansuar fushatë për kujdesin shëndetësor. Përtej obligimeve kemi organizuar edhe një varg aktivistesh me komuna dhe shkolla, jemi në bashkëpunim që secili prej rasteve të marrë dënimin maksimal dhe të ofrohet ndihmë edhe për të miturat”, ka thënë ajo.
Përderisa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bëri të ditur se nga janari janë raportuar rreth 2 mijë raste të dhunës në familje dhe 90% ndaj grave dhe vajzave. Ajo madje u bëri thirrje institucioneve që mos t’i neglizhojnë rastet e dhunës.
“Në kuadër të kësaj fushate kemi paraparë mbi 80 aktivitete, dhe është shumë e rëndësime që të punohet me të gjithë. Kjo është një thirrje dhe senzibilizim, është një thirrje për institucionet që raste e dhunës të mos i injorojnë të mos i neglizhojnë, përgjegjësit të vendosen para përgjegjësisë. Qytetarët ku do dhe kur do që janë në dijeni të dhunës ta ndihmojmë vikamën, edhe viktimat të mos i lënë pa raportuar rastet e dhunës. Po mundohemi që të ofrojmë ndihmë. Nga janari rreth 2 000 raste të dhunës në familje, 90% ndaj grave dhe vajzave”, ka thënë ajo.
Rruga Press