Presidentja Osmani për vrasjen e Liridonës: Është krim monstruoz, që duhet të marrë dënimin e merituar
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas vrasjes së Liridona Ademaj – Murseli, e cila u vra më 29 nëntor në Prishtinë.
Osmani thotë se vrasja e Liridona Ademajt është krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar.
“Femicidi është dëshmi rrëqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë. Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë. Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive. Prandaj, është nevojë urgjente që të forcohet zbatimi i ligjit dhe kryerësit e krimeve të tilla të llahtarshme të përballen me dënimet më të ashpra të parapara me ligj”, ka theksuar ajo.
Tutje, presidentja ka shkruar se “ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t’u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale”.
“Në këto momente të rënda për gjithë vendin tonë, ndajmë dhimbjen me familjen e Liridonës, e në veçanti me fëmijët e saj të cilët humbën nënën e tyre të shtrenjtë në rrethanat më monstruoze të mundshme”.
30-vjeçarja Liridona Murseli u privua nga jeta derisa ishte në veturë me bashkëshortin e saj, Naim Murseli, dhe dy fëmijët. Ngjarja tragjike ndodhi të mërkurën, 29 nëntor, rreth orës 20:20 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Liridona, e cila ishte viktimë e kësaj tragjedie, u varros këtë të premte në Cërmjan të Gjakovës.
Po në këtë ditë u arrestuan tre të dyshuar për vrasjen e Liridonës, bashkëshorti i viktimës Naim Murseli dhe personi që dyshohet se ia mori jetën G.P (Granit Plava) dhe një tjetër i përfshirë në vrasje, që është pjesëtar i FSK-së.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve ka thënë se do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore.
“Prokuroria në koordinim me policinë po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast, thuhet në njoftim.
Sipas raportimeve në media, autori që dyshohet se ka kryer vrasjen, e ka pranuar në polici veprën dhe ka thënë se është paguar nga Naim Murseli për të kryer krimin.
Tre të dyshuarit për vrasjen e 30-vjeçares do të dalin para gjykatësit më 3 dhjetor.
Rruga Press