Presidentja e Parlamentit të Gjenevës që vëzhgoi zgjedhjet lokale: Lëvizja Vetëvendosje doli fituese duke zgjeruar ndikimin e saj territorial
Presidentja e Parlamentit Kantonal të Gjenevës Ana Roch, e cila ishte vëshguese ndërkombëtare e zgjedhje lokale në Kosovë, ka vlerësuar pozitivisht mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale të mbajtura më 9 nëntor në Kosovë, duke theksuar se procesi është zhvilluar në një atmosferë transparence, rregulli dhe profesionalizmi.
Politikania zvicerane, ka vlerësuar me nota pozitive procesin zgjedhor të 9 nëntorit në Kosovë, ku ka vepruar si vëzhguese ndërkombëtare. Ajo theksoi se votimi ka qenë transparent, i organizuar dhe i besueshëm, duke refektuar një nivel demokratik të pjekur në vendin ballkanik.
Roch ka thënë se qendrat e votimit kanë funksionuar sipas standardeve demokratike dhe pa incidente serioze, ndërsa numërimi dhe publikimi i rezultateve është kryer në mënyrë të rregullt dhe teknike.
“Ajo që pashë në terren meriton të theksohet. Procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë të organizuar dhe transparente, duke reflektuar një nivel të pjekurisë demokratike që e pozicionon Kosovën pozitivisht në rajon,” tha Roch pas përfundimit të vëzhgimit.
Në vlerësimin e saj, zgjedhjet konfirmuan besueshmërinë e sistemit dhe angazhimin institucional për të garantuar një proces të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Rezultatet politike dhe balancat e reja
Në aspektin politik, Roch vuri në dukje se këto zgjedhje sollën zhvillime të rëndësishme në skenën politike të vendit. Lëvizja Vetëvendosje doli fituese në disa komuna të rëndësishme si Mitrovica, Fushë Kosova dhe Obiliqi, duke zgjeruar ndikimin e saj territorial.
Nga ana tjetër, PDK dhe LDK shënuan rënie në disa zona, por mbetën konkurruese në garat për balotazh, shpesh edhe falë bashkërendimeve të paformalizuara mes partive tradicionale për të frenuar përparimin e Vetëvendosjes në qendrat kryesore urbane.
Partitë AAK dhe NISMA ruajtën pozicionet e tyre, ndërsa në Drenas, kandidati Ramiz Lladrovci konfirmoi edhe një herë mbështetjen e tij të qëndrueshme, duke sfiduar pritshmëritë e zakonshme elektorale.
Dy blloqe politike drejt zgjedhjeve të ardhshme
Sipas vëzhgimit dhe analizës së Roch, rezultati final nxori në pah polarizimin e ri politik në Kosovë: nga njëra anë Vetëvendosja, dhe nga ana tjetër një grupim i partive tradicionale, i cili – edhe pse jo zyrtarisht i shpallur – po funksionon si një bllok i vetëm në disa komuna. Ky grupim është cilësuar nga disa analistë si “PLAN”.
“Partitë mund të garojnë veçmas, por kur bëhet fjalë për balancimin e fuqisë politike, shpesh veprojnë në mënyrë të koordinuar,” vlerësoi Roch.
Pritjet për të ardhmen
Vëzhguesja ndërkombëtare theksoi se dinamika e krijuar në këto zgjedhje lokale do të ndikojë drejtpërdrejt në ciklin e ardhshëm parlamentar, ku pritet një përballje e dy blloqeve kryesore politike të vendit.
Rruga Press

