Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani viziton Kanadanë
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, e shoqëruar nga kryediplomatja, Donika Gërvalla dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj kanë mbërritur në Kanada për një vizitë zyrtare.
Sipas mediave lokale në Kosovë të tre politikanët kosovarë pritet të zhvillojnë takime të nivelit të lartë.
Krahas homologëve dhe përfaqësuesve të lartë, presidentja Osmani do të jetë njëra ndër folëset kryesore në Forumin Ndërkombëtar për Sigurinë, i cili i zhvillon punimet nga 19 deri 21 nëntor 2021. Forumi mbahet çdo vit që nga viti 2009 në Halifaks, Nova Scotia, ku marrin pjesë më shumë se 300 përfaqësues të 70 shteteve të ndryshime të botës.
Gjatë kësaj kohe presidentja Osmani pritet të zhvillojë takime të ndryshme me përfaqësues të Kanadasë, dhe shteteve pjesëmarrëse në këtë forum. Ku temë kryesore diskutimi do të jetë vazhdimi i mbështetjes së këtyre shteteve për Kosovën.
Ende nuk është bërë publike agjenda e takimeve të delegacionit të Kosovës, por dihet se në fund të vizitës, ata do të takohen edhe me krerët e komunitetit shqiptar në Toronto, ku pritet të marrin pjesë udhëheqësit e shoqatave kryesore të shqiptarëve në Ontario.
rrugapress