Presidentja e KE, Ursula von der Leyen në Tiranën! Pritet me ceremoni shtetërore në Pallatin e Brigadave
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Tiranë, në kuadër të turit në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Presidentja e KE u prit nga kryeministri Edi Rama në Pallatin e Brigadave me një ceremoni shtetëore. Leyen, zgjodhi që Ramën ta përshëndeste me dorën në zemër, duke respektuar masat anti Covid. Pa maskë, e veshur me xhaketë rozë, Leyen bëri fotografinë zyrtare me Ramën brenda ambienteve të Pallatit të Brigadave. Pas takimit me dyer të mbyllura, pritet që të ketë dhe një konferencë për shtyp nga ana e tyre. Rreth orës 10:00 ajo do të takohet me presidentin Ilir Meta në Presidencë.
Para se të mbërrinte, presidentja e KE bëri një postim në Twitter ku bëri të qartë mesazhin që BE do të investojë në mënyrë strategjike për të ardhmen e përbashkët europiane.
Vizita e von der Leyen vjen një javë para samitit të BE dhe Ballkanit Perëndimor i cili do të mbahet më 6 tetor.Von der Leyen e paralajmëroi vizitën në vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë fjalimit të saj të përvitshëm në Parlamentin Europian. Vizita e von der Leyen vjen në një moment kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin miratimin e hapjes së negociatave pasi procesi është bllokuar dy herë nga vetoja e Bullgarisë ndaj Shkupit, megjithëse vendet e tjera anëtare kishin rënë dakord që dy vendeve t’i jepet drita jeshile.
Rruga Press