Bota

Presidentja e Gjeorgjisë thotë se partia në pushtet e ka kapur “shtetin”

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, ka thënë pas një takimi me një delegacion të Bashkimit Evropian se, partia në pushtet e afërt me Rusinë, Ëndrra Gjeorgjiane, i ka “kapur virtualisht” të gjitha institucionet, dhe ka bërë thirrje për zgjedhje të reja, për të drejtuar këtë shtet kah integrimet euro-atlantike.

Zurabishvili i ka bërë këto komente në një konferencë për media në Tbilisi, pas një takimi që ka zhvilluar me një delegacion të zyrtarëve evropianë, pas zgjedhjeve të kontestuara të muajit të kaluar.

Ëndrra Gjeorgjiane pretendon se i ka fituar 54 për qind të votave, pavarësisht dyshimeve për mashtrime të mëdha dhe ndikim rus.

Gjeorgjianët kanë mbajtur disa herë protesta prej zgjedhjeve të 26 tetorit, duke kundërshtuar rezultatet, dhe kanë bërë thirrje për përsëritje të zgjedhjeve.

Lexo më shumë  Seuli: Rusia, raketa kundërajrore Koresë së Veriut në këmbim të ushtarëve

“Jemi duke hyrë në krizë”, ka thënë Zurabishvili, e cila ka refuzuar të pranojë rezultatin zgjedhor.

“Nuk ka befasi këtu, kriza është e qartë”, ka thënë Zurabishvili, duke shtuar se shtetit i duhen “zgjedhje të reja, në mënyrë që Gjeorgjia të ketë një parlament legjitim, qeveri legjitime, dhe president të ri legjitim kur do të vijë koha”.

Gjeorgjia e ka fituar vitin e kaluar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, mirëpo demokracia në këtë vend ka nisur të zbehet, pas vendimeve që ka marrë Ëndrra Gjeorgjiane për të miratuar një ligj të stilit rus për “agjentë të huaj” dhe masa kundër komunitetit LGBT (lesbike, homoseksualë, biseksualë dhe trangjinorë).

Të gjitha këto e kanë shtyrë Brukselin që të paralajmërojë Gjeorgjinë se po e rrezikon procesin e integrimeve evropiane.

Lexo më shumë  Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së “po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Presidenti i Komisionit Evropian, Charles Michel, ka thënë më 8 tetor, se “ekzistojnë dyshime serioze për mashtrime, të cilat kërkojnë hetime serioze”, duke iu referuar zgjedhjeve të 26 tetorit.

Delegacioni i BE-së është formuar prej krerëve të Komiteteve për Punë të Jashtme prej parlamenteve të Gjermanisë, Finlandës, Suedisë, Francës, Lituanisë, Letonisë, Estonisë dhe Polonisë.

Shalva Papuashvili, kryetar i Parlamentit të Gjeorgjisë, që kontrollohet nga Ëndrra Gjeogjiane, ka refuzuar të takohet me delegacionin e BE-së më 11 nëntor, duke pretenduar se arsyeja e refuzimit është “qasja jomiqësore drejt Qeverisë gjeorgjiane dhe shoqërisë gjeorgjiane, që është shpërfaqur disa herë nga qeveritë e delegacioneve”.

Shumë anëtarë të delegacionit të BE-së e kanë kritikuar refuzimin e Papuashvilit për t’u takuar me ta.

Rruga Press

YouTube player