Presidenti Zelenski mbërrin në Uashington
Administrata e Presidentit Biden njoftoi të mërkurën një pako të re ndihmash ushtarake prej 1.8 miliardë dollarësh për Ukrainën. Shtetet e Bashkuara njoftuan ndihmën që do të përfshijë edhe sistemin e avancuar të raketave, ‘Patriot’, ndërsa Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski mbërriti të mërkuren mbasdite në Uashington. Ai do të pritet nga Presidenti Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe më pas do të mbajë një fjalim në Kongresin amerikan. Ky është udhëtimi i parë i presidentit Zelenski jashtë vendit që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti.
“Ndërsa Rusia vazhdon sulmet e saj brutale kundër infrastrukturës kritike në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara mirëpresin Presidentin Volodymyr Zelenskyy në Uashington sot për të nënvizuar angazhimin tonë të qëndrueshëm ndaj popullit të Ukrainës”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken në një deklaratë, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë “aftësi të reja jetike ushtarake për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet nga sulmet e vazhdueshme brutale dhe të paprovokuara të Rusisë”.
Presidenti Zelenski dhe zyrtarë të tjerë ukrainas u kanë bërë presion udhëheqësve perëndimorë që të ofrojnë armë më të avancuara, përfshirë sistemin e raketave ‘Patriot’, për të ndihmuar vendin e tyre në luftën kundër Rusisë. ‘Patriot’ është sistemi më i avancuar i raketave tokë-ajër që Perëndimi do t’i japë Ukrainës për ta ndihmuar atë në zmbrapsjen e sulmeve ajrore ruse.
Ai do të pritet nga Presidenti Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe më pas do të mbajë një fjalim në Kongresin amerikan.
Vizita e Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenski në Shtetet e Bashkuara vjen në një kohë kur Kongresi amerikan pritet të votojë për buxhetin, i cili do të përfshijë një ndihmë prej 45 miliardë dollarësh për Ukrainën dhe përgatitjeve të Uashingtonit për t’i dhënë Kievit sistemin e avancuar të raketave, ‘Patriot’.
Presidenti Zelenski të martën bëri një vizitë të guximshme dhe të rrezikshme në vijën e frontit në Bakhmut, në provincën e Donetskut, ku lavdëroi trupat ukrainase për “trimërinë, rezistencën dhe forcën e tyre” ndërsa në sfond dëgjoheshin të shtëna me artileri.
Një video e publikuar nga zyra e tij për vizitën në Bakhmut tregon se si ushtarët i japin zotit Zelenski një flamur ukrainas që ai la të kuptohej se do t’ia jepte udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara.
“Djemtë më dhanë flamurin tonë të bukur ukrainas me nënshkrimet e tyre. Nuk jemi në një situatë të lehtë. Armiku po i shton forcat dhe njerëzit tanë janë më të guximshëm dhe kanë nevojë për armë më të fuqishme. Do t’ia japim atë nga djemtë Kongresit, Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Ne u jemi mirënjohës për mbështetjen e tyre, por ajo nuk mjafton”, tha ai.
Ndihma e re amerikane, që përfshin edhe sistemin e raketave ‘Patriot’, sinjalizon një zgjerim nga Shtetet e Bashkuara të llojit të armatimeve të avancuara, që do të dërgojnë në Ukrainë për të forcuar mbrojtjen e saj ajrore kundër sulmeve në rritje me raketa nga Rusia në javët e fundit.
Vendimi për dërgimin e sistemit të raketave ‘Patriot’ vjen pavarësisht kërcënimeve nga Ministria e Jashtme e Rusisë se furnizimi i Ukrainës me këtë sistem të avancuar raketash do të konsiderohej një hap provokues. Moska ka thënë se personeli ushtarak që do të shoqërojë sistemin e raketave ‘Patriot’ do të ishte një objektiv legjitim i goditjes nga forcat ruse.
Kremlini paralajmëroi të mërkruen se rritja e furnizimit të Kievit me armë nga Shtetet e Bashkuara gjithashtu do të përkeqësonte luftën shkatërrimtare në Ukrainë, të cilën Rusia e filloi në mënyrë të paligjshme 10 muaj më parë.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të zgjerojnë furnizimin me armë dhe me llojet e armëve për Ukrainën. E gjithë kjo, natyrisht, çon në një përkeqësim të konfliktit dhe, në fakt, nuk është një shenjë e mirë për Ukrainën”, u tha të mërkuren gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Nuk është e qartë saktësisht se kur pritet të mbërrijë në vijën e frontit në Ukrainë sistemi i raketave ‘Patriot’, pasi trupat amerikane së pari do të duhet të stërvisin forcat ukrainase se si të përdorin këtë sistem të teknologjisë së sofistikuar. Stërvitja mund të zgjasë disa javë dhe pritet të kryhet në Gjermani. Deri më sot, të gjitha stërvitjet e forcave të Ukrainës nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë janë kryer në vendet evropiane.
Për vizitën e Presidentit Zelenski në Shtetet e Bashkuara janë marrë masa të forta sigurie. Ky do të jetë udhëtimi i parë i Presidentit Zelenski jashtë vendit, që nga fillimi i sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti, që ka shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve dhe shkatërrimin e shumë qyteteve në mbarë vendin./VOA
Rruga Press