KryesoreLajme

Presidenti i Bullgarisë, Radev: Nuk mund t’i lejojmë vetës ta lëmë Kosovën në plan të dytë

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev ka thënë se Bashkimi Evropian nuk mund t’ia lejojë vetës që ta lë Kosovën në plan të dytë kur bëhet fjalë për integrimin e përshpejtuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Në këtë kontekst të ndërlikuar gjeopolitik kur flasim për integrimin e përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor, ne nuk mund t’i lejojmë vetës që lëmë Kosovën në plan të dytë, aq më tepër në fushën e sigurisë. Arritja e marrëveshjes së tërësishme për neutralizimin e tensionit midis Prishtinës dhe Beogradit është me rëndësi kyçe për sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien e rajonit tonë veçanërisht në kontekstin e ndërlikuar gjeopolitik në të cilin ndodhemi”, theksoi Radev në konferencën e përbashkët me presidenten Vjosa Osmani.

Ai ka thënë se shteti i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në integrimin euroatlantik.

“Bullgaria është vendet e para që e njohën pavarësinë e Kosovës dhe në këtë drejtim ju mund të shpresoni në mbështetjen tonë të vazhdueshme për përpjekjet e tuaja për ndërtimin e Kosovës si një shtet model demokratik, me institucione të fuqishme dhe i integruar plotësisht në sistemet ndërkombëtare”, tha Radev.

Lexo më shumë  Murati për subvencionimin e tarifave të energjisë: Plotësoni numërin e saktë të pjestarëve të familjes

I pari i shtetit bullgar tha se do të japë ndihmën e saj për anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai tha se Bullgaria është një prej motorëve të anëtarësimit të gjitha vendeve në Bashkimin Evropian.

“Përshëndes përpjekjet që bën Kosova në këtë drejtim. Ne e dimë sa e vështirë është të bëhen të gjitha këto reforma në fushën e drejtësisë, në administrimin e mirë, në luftën kundër trafikut të paligjshëm, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Bullgaria do të vazhdojë të ngulë këmbë para institucioneve evropiane që të gjitha këto suksese të merren parasysh”, shtoi Radev.

Ai tha se Bullgaria do të mbetet gjithmonë e angazhuar në sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, sepse kjo sipas tij është me rëndësi kyçe për të ardhmen jo vetëm të Ballkanit por të gjithë Bashkimit Evropian.

Ai shprehu kënaqësinë e tij për bisedën e tërësishme me presidenten Osmani dhe vlerësoi lartë për marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Shqyrtuam hapa konkret për zhvillimin e marrëdhënieve tona në perspektivë. Ne ndajmë bindjen se me gjithë tendencën pozitive të shkëmbimit të mallrave ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë, ende ka potencial të pashfrytëzuar, prandaj ka shumë rëndësi të aktualizojmë një pjesë të memorandumeve tashmë të lidhura dhe të zgjerojmë bazën juridike me marrëveshje të reja”, tha presidenti bullgar.

Ai tha se në këtë takim u shqyrtuan masat konkrete për fillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në energjetikë, në investime në bujqësi, arsim, kulturë dhe turizëm.

YouTube player