Presidenti Biden përdor shembullin e Ukrainës, si mesazh ndaj Kinës
Presidenti amerikan Joe Biden i dha fund udhëtimit të tij 6-ditor në Azi me komente për luftën në Ukrainë, që i përdori për t’i dërguar një mesazh Kinës lidhur me parimet themelore të rendit ndërkombëtar.
“Integriteti dhe sovraniteti territorial, e drejta ndërkombëtare, të drejtat e njeriut duhet të mbrohen gjithmonë, pavarësisht se ku shkelen ato në botë,” tha zoti Biden në një takim të nivelit të lartë në Tokio me udhëheqësit e Japonisë, Indisë dhe Australisë, një grup i njohur si Katërshja.
Agresioni rus ndaj Ukrainës rrit rëndësinë e objektivave strategjike të administratës për “një Indo-Paqësor të lirë, të hapur, ndërveprues, të sigurt dhe elastik,” tha presidenti Biden gjatë takimit me kryeministrin japonez, Fumio Kishida, kryeministrin indian Narendra Modi dhe kryeministrin e sapozgjedhur Australian, Anthony Albanese në ditën e tij të fundit në Azi.
“Për sa kohë që Rusia vazhdon luftën, Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët tanë për të ndihmuar në përgjigjen globale, sepse ajo prek të gjitha pjesët e botës,” tha zoti Biden. “Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara duhet dhe do të jenë partnerë të fortë, dhe të qëndrueshëm në Indo-Paqësor.”
Zoti Kishida i bëri jehonë deklaratës së presidentit Biden.
“Agresioni rus në Ukrainë sfidon plotësisht parimet që janë të mishëruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara”, tha ai. “Ne kurrë, kurrë nuk duhet të lejojmë që një incident i ngjashëm të ndodhë në Indo-Paqësor.”
Deklarata e përbashkët dhe komentet e katër udhëheqësve nuk e përmend drejtpërdrejt Kinën, por e vë theksin tek synimi për një rajon të Indo-Paqësorit që respekton sovranitetin dhe sundimin e ligjit, një formulim diplomatik që duket se i drejtohet Pekinit.
Pekini ka rritur në mënyrë dramatike shpenzimet ushtarake vitet e fundit, përfshirë fuqinë detare. Kina ka tani buxhetin e dytë më të madh të mbrojtjes në botë pas Shteteve të Bashkuara.
Shumë në rajon i druhen një pushtimi të mundshëm të Tajvanit, por në fakt militarizimi kinez ndihet më shumë në ujërat e diskutueshme të Detit të Kinës Jugore, ku Pekini ka shndërruar të paktën tre ishuj artificialë në baza ushtarake, pavarësisht se në të kaluarën Presidenti Xi Jinping kishte dhënë garanci se nuk do ta bënte një gjë të tillë.
Udhëheqësit e Katërshes deklaruan se “kundërshtojnë fuqimisht çdo veprim detyrues, provokues ose të njëanshëm që synon të ndryshojë status quo-në dhe të rrisë tensionet në zonë.”
Rruga Press