Bota

Presidenti Biden do të propozojë taksë të re për miliarderët amerikanë

Sipas propozimit familjet me pasuri mbi 100 milionë dollarë, do të paguajnë të paktën 20 për qind taksë mbi të ardhurat e tyre totale. Pjesë e këtij grupi janë rreth 700 familje amerikane.

Administrata e presidentit Joe Biden do të propozojë një vendim për të vendosur taksa më të larta për amerikanët më të pasur.

Sipas një dokumenti të Shtëpisë së Bardhë që pritet të publikohet së shpejti, të cituar nga Washington Post-i, propozimi do të jetë pjesë e buxhetit për vitin 2023.

Referuar të njëjtit dokument, propozimi i ashtuquajtur “Tatimi Minimal i të Ardhurave të Miliarderëve” parashikon një taksë minimale prej 20 për qind për familjet me pasuri mbi 100 milionë dollarë dhe do të çojë drejt uljes së deficiteve të parashikuara buxhetore me më shumë se një trilion dollarë gjatë dekadës së ardhshme.

Lexo më shumë  NATO kërkon rritjen e prodhimit të armëve në Ukrainë

“Kjo taksë minimale do të bëjë që amerikanët më të pasur të mos paguajnë më një përqindje tatimore më të ulët se mësuesit dhe zjarrfikësit”, thuhet në dokument.

Kush do të paguajë më shumë?

Duke nënkuptuar një riorientim masiv të ligjit tatimor të SHBA-së, propozimi do të ndikonte në 0.01 për qind të familjeve. Në këtë kategori, gjysma e të ardhurave të pritshme do të vinte nga familjet me pasuri mbi një miliardë dollarë.

Propozimi do t’i jepte fund faktit që njerëzit më të pasur në SHBA të paguajnë tarifa më të ulëta se ata që i përkasin klasës së mesme. Veçanërisht, një studim nga administrata Biden vjeshtën e kaluar zbuloi se 400 familje miliarderësh paguanin mesatarisht vetëm 8.2 për qind taksa mbi të ardhurat e tyre, në periudhën 2010-2018. Kjo përqindje është shpesh poshtë asaj të shumë familjeve të zakonshme amerikane.

Lexo më shumë  “I famshëm” për qëndrimet kundër NATO-s/ Zgjedhjet presidenciale në Rumani, kandidati pro rus është favorit

Propozimi i ri do të ndryshojë në mënyrë dramatike gjendjen mbi taksat e paguara nga miliarderët amerikanë. Për shembull, pronari i Teslas, Elon Musk do të paguajë 50 miliardë dollarë shtesë në taksa, ndërsa themeluesi i Amazon, Jeff Bezos do të paguajë afërsisht 35 miliardë dollarë më shumë, sipas të dhënave që ka mundur të përllogarisë ekonomisti i Universitetit të Kalifornisë Berkeley, Gabriel Zucman.

Nevojë për më shumë përkrahje

Taksimi më i lartë për miliarderët ka qenë prej kohësh një kërkesë e të majtës amerikane. Por masa e re kërkon miratimin e Kongresit. Ajo mund të mbledhë deri në 360 miliardë dollarë të ardhura më shumë, gjatë një periudhe 10-vjeçare.

Administrata Biden trashëgoi nga ish-administrata Trump një deficit buxhetor që ishte 14.9 për qind e të gjithë ekonomisë amerikane.

Megjithatë, duke filluar nga viti i ardhshëm buxhetor, deficiti do të jetë nën 5 për qind të ekonomisë. /Deutsche Welle/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *