Premiera kombëtare e “Zgjoit” vjen me lajmin se është kandidat për nominim në “Oscarin” Evropian
Shfaqja e filmit në Kosovë ka ardhur me lajmin e mirë se filmi është përzgjedhur nga “European Film Awards”, që ndryshe njihet si “Oscari” i Evropës, si një nga kandidatët për nominim për çmimet prestigjioze të kësaj akademie.
Filmi “Zgjoi” u konsiderua si një rrëfim që shpalos plagët e thella që lufta e fundit vragoi mbi fate njerëzish, duke shërbyer njëkohësisht si frymëzim për mbijetesë. Të shumtë janë ata që me padurim e kanë pritur shfaqjen e tij në vend. Si për t’ua plotësuar dëshirën, të paktën për një natë, “Zgjoi”, nën regji e skenar të Blerta Bashollit, që po bën një rrugëtim të suksesshëm – të cilin e nisi në fillim të këtij viti kur në “Sundance Film Festival” u shpërblye në mënyrë të trefishtë – ndaloi edhe në Prishtinë.
Të martën mbrëma u dha premierë kombëtare në “PriFest”, duke shënuar nisjen e edicionit të sivjetmë të festivalit me traditë 13-vjeçare./koha/