Prej 30 vitesh pa ujë dhe rrugë, banorët e një fshati në Fier: Dora e shtetit s’është parë fare, bëjnë premtime vetëm për fushatë
Prej 30 vitesh banorët e fshatit Gjinoqarë në Fier janë lënë në harresë, pasi rrugët dhe uji i pijshëm mungojë. Banorët pohojnë të indinjuar se fshati i tyre nuk ka pasur kurrë rrjet ujësjellësi, por një pjesë e tyre janë detyruar që të hapin puse me shpenzime të kripura që shkojnë deri në 7 mijë euro.
“Jemi rreth 300 familje që nuk kemi ujë, edhe kur kemi ujë e kemi sepse kemi hapur puset tona deri në 150 metra. Dora e shtetit nuk është parë fare këtu, sidomos këto 10 vitet e fundit nuk është parë fare. At që nuk kanë puse i japin me, edhe me lekë edhe pa lekë. Kemi ngritur zërin por nuk na kanë dëgjuar, tani që janë zgjedhjet kanë filluar zgjedhjet kanë ardhur. Ishte para disa ditësh Balla, bëri premtime sa për të marrë votat dhe iku. E ndjejmë veten e braktisur, çështja e rrugës është edhe më keq pasi mungon infrastruktura”, tha një prej banorëve për mediat.
Ndihemi të braktisur pohojnë ata bashkarisht, pasi uji i pijshëm nuk është i vetmi shërbim jetik që vuajmë, por edhe infrastruktura rrugore e amortizuar dhe pa asnjë investim. Sipas tyre kjo jetesë si në mesjetë ka bërë që prej vitesh tashmë, të rinjtë e larguar në emigracion të mos kthehen në Gjinoqarë as për pushime, e ndërsa rikthimin nuk e mendojnë.
Të lodhur nga ankesat e vazhdueshme ndër vite, dhe premtimet boshe, banorët apelojnë njëzëri për vëmendjen e institucioneve, pasi edhe burimet më të afërta në zonë po shterojnë.
Rruga Press