Lajme

Prapaskenat qeveritare/ “Nuk gjendet askund”, por fitoi 120 mln euro të Sharrës (Dokumentat)

Zyrtarët e lartë shtetërorë mohuan që të kenë vepruar me “regji qendrore” për të dorëzuar kontratat koncensionare dhjetra milionë euro për impiantet e përpunimit të mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë tek një grup anonim biznesesh, të drejtuar nga Klodian Zoto dhe “njeriu-hije” Mirel Mërtiri.

Megjithatë disa dokumenta zyrtarë dëshmojnë qartësisht se kompania e regjistruar në zonën off-shore të Amsterdamit në Hollandë “Integrated Energy BV”, e paracaktuar për të fituar koncensionin më të madh, atë të ndërtimit të inceneratorit të Sharrës në Tiranë, ishte tërësisht anonime.

Këtë e shpreh shumë qartë Ermonela Felaj, e cila në kohën e zhvillimit të procedurave qeveritare për koncensionin e Sharrës, mbante postin e Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Në 7 Nëntor 2016, Ministri i Mjedisit i asaj kohe, Lefter Koka, sot i arrestuar për “aferën e inceneratorëve”, kërkon opinion nga disa ministri për projektin që i jepte kompanisë “Integrated Energy BV” një bonus prej 8 pikësh, për ofertën e pakërkuar për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Tiranës.

Ndër zyrtarët që do të jepnin opinion ishte edhe zonja Felaj.

Në shkresën “kthim përgjigje” të datës 15 Nëntor 2016, Ermonela Felaj ngre një seri dyshimesh mbi integritetin dhe aftësinë financiare të kompanisë që pritej të merrte favorizim me 8 pikë bonus për projektin 120 milionë euro.

Lexo më shumë  Kurti për moscertifikimin e Listës Serbe: Askush s’ka mundur të presë qëndrim ndryshe prej VV-së

Fatkeqësisht, pavarësisht kërkimit disa herë, qoftë me emër kompanie, qoftë me emër aksioneri, nuk kemi mundur të gjejmë shoqërinë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit”, shkruan Felaj në përgjigjen e saj për Lefter Kokën.

Ministrja e Shtetit vijon: “Rekomandojmë që në relacion të jepet NIPT i kompanisë, së bashku me disa të dhëna të tjera, siç janë kapitali, ndarja midis ortakëve, administratori, e të tjerë, ku të dalë qartazi që kompania ka kapitalin e nevojshëm për një investim të tillë”.

Në foto: Shkresa e Ministres së Shtetit, Ermonela Felaj, drejtuar Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka

Gjithashtu, Felaj rekomandon që, para se të shpreh opinionin e saj, duhet të jetë e informuar për impaktin ekonomik dhe disa kritere teknike të projektit.

Nga kërkesat e Ministres së Shtetit, dukej se kompania “Integrated Energy BV” ishte tërësisht anonime.

Në vijim të komunikimeve qeveritare, Lefter Koka i dërgon ministres Felaj një relacion teknik për projektin e propozuar nga kompania private.

Por, edhe në këtë relacion mungojnë elementët thelbësorë, që ishin edhe pikëpyetjet kryesore të Ministres së Shtetit; kush është kompania dhe cilët janë aksionerët.

Lexo më shumë  Mbyllet një institucion paralel i Serbisë në veri të Mitrovicës

Megjithatë, pavarësisht mungesës së këtij informacioni thelbësor, Ermonela Felaj jep dakordësinë e saj, vetëm dy janë pasi kishte ngritur pikëpyetjet.

Drejtoresha e saj e kabinetit në atë kohë, Rovena Voda, në një komunikim via e-mail, njofton Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisiti, Alqi Bllako, se janë dakord që kompania, deri në atë kohë anonime, të fitonte bonusin qeveritar.

Pasi u njohëm me shpjegimet e dhëna prej jush lidhur me sugjerimet e MSHMP për draftin në fjalë, ju shprehim përfundimisht dakordësinë tonë mbi këtë projekt-vendim”, shkruan në 30 Nëntor 2016 Rovena Voda, e cila së fundmi është e akuzuar nga SPAK për korrupsion, gjatë kohës që ka ushtruar funksionet e zv.ministres së Brendshme.

Në përfundim të komunikimeve ndërministrore, Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, miratoi në 7 Dhjetor 2016 bonusin prej 8 pikësh për kompaninë “Integrated Energy BV”, e cila kishte drejtor dhe përfaqësues Klodian Zoton.

Kjo e fundit u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit pas 8 muajsh, në 31 Gusht 2017, pikërisht në ditën që u shpall fituese e tenderit pa garë për ndërtimin e inceneratorit të Sharrës.

Ndërsa aksionerët e saj zyrtarë sipas dokumentave, u identifikuan vetëm në Qershor të vitit 2021, në zbatim të ligjit për “Regjistrimin e pronarëve përfitues”./Nga Boldnews.al

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *