Bota

Prapaskenat e tentim grusht-shtetit në Gjermani

Gjermania më tetë dhjetor shmangu grusht-shtetin që për një vit po planifikohej nga një grup i ekstremit të djathtë dhe ish-figura të ushtrisë gjermane.

Kjo lëvizje e ekstremit të djathtë po planifikonte të hynte në ndërtesën e Parlamentit gjerman, Reichstag, dhe të kapte pushtetin.

Një aristokrat i njohur si Princi Heinrich i 12-të dyshohet se ishte në qendër të planeve për grusht shtet. Sipas prokurorëve federalë, ai është njëri nga dy liderët në mesin e të arrestuarve në 11 shtetet gjermane.

Në grupin e planifikuesve të grusht shtetit ishin të përfshirë anëtarë lëvizjes së djathtë ekstreme Reichsburger që për një kohë të gjatë ka qenë nën mbikëqyrje të policisë për sulme dhe teori konspirative raciste.

Ky grup gjithashtu nuk e njeh shtetin modern të Gjermanisë. Të dyshuar të tjerë ishin pjesë të lëvizjes Qanon, të cilët besojnë se vendi i tyre është kapur nga fuqitë sekrete.

Johannes Kies, analist nga Instituti për Demokraci në Universitetin e Leipzigut thotë se lëvizja ekstreme nuk besonte në republikën e Gjermanisë.

“Skena ose lëvizja e Qytetarëve të Rajhut në Gjermani përbëhet nga sovranë, njerëz që besonin se republika federale e Gjermanisë, republika demokratike, është e rrejshme, që në fakt është kompani e themeluar nga Aleatët pas Luftës së Dytë Botërore, sepse besojnë se nuk ka pasur marrëveshje të paqes mes Aleatëve dhe Gjermanisë. Kështu, ata besojnë në ekzistencën e Rajhut dhe donin rithemelimin e monarkisë në Gjermani”, ka deklaruar Kies.

Lexo më shumë  Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së “po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Rreth 50 burra dhe gra dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit, që thuhet se kanë komplotuar për të përmbysur republikën dhe për ta zëvendësuar atë me një shtet të ri të modeluar sipas Gjermanisë së vitit 1871 – perandori e quajtur Rajhu i Dytë.

“Deri në njëfarë mase ata janë distancuar nga Rajhu i Parë, nga neonazizmi dhe Hitleri, por nuk e kanë fort problem që të punojnë bashkë me grupet neonaziste”, ka theksuar Kies.

Analisti Kies thotë se radikalizimi në Gjermani ka nisur me themelimin e partisë Alternativa për Gjermaninë.

“Kemi parë një mobilizim dhe radikalizim në Gjermani në 10-15 vjetët e fundit. Ka nisur me themelimin e AfD-së në vitin 2013 dhe protestat kundër imigracionit në vitin 2015. Në dy vjetët e fundit, gjatë pandemisë, kemi shfaqjen e një mobilizimi të ri

Lexo më shumë  Merkeli shpreh shqetësim të madh për rolin e Muskut në administratën Trump

Bastisjet e tetë dhjetorit janë përshkruar si një nga operacionet më të mëdha kundër ekstremizmit në historinë moderne gjermane.

Kies thotë se plani për grusht-shtet ka ngjashmëri me trazirat në Kapitol të Washingtonit kur Trumpi nuk pranonte rezultatin e zgjedhjeve, në të cilat doli fitues demokrati Joe Biden.

“Krahasimi më interesant do të ishte me Shtetet e Bashkuara sepse kemi parë sulmin në Kapitol më 6 janar dhe raste të tjera të lëvizjeve, grupeve të ngjashme me prapavijë supremaciste, por edhe të një lloji sovran si ky te Qytetarët e Rajhut. Ata nuk po flasin për racën gjermane, por po flasin se si të marrin kontrollin dhe se qeveria aktuale nuk është e vërtetë, por e rrejshme”, ka shtuar Kies.

Ata kishin krijuar tashmë plane për ta sunduar Gjermaninë me departamente që mbulojnë shëndetësinë, drejtësinë dhe çështjet e jashtme, tha prokurori. Anëtarët e kuptuan se mund t’i realizonin qëllimet e tyre vetëm me “mjete ushtarake dhe dhunë kundër përfaqësuesve të shtetit”, që përfshinte kryerjen e vrasjeve.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *