Bota

Pranë vijës së frontit, rusët po lodhen nga lufta

Kozinka duket si çdo fshat tjetër në rajonin rus të Belgorodit. Shtëpi me tulla, një shkollë dhe një kopsht fëmijësh, si dhe një dyqan ushqimor me orar të shënuar në derë. Por shtëpitë janë të errëta dhe dyqani nuk hapet kurrë.

Fshati, i vendosur më pak se një kilometër nga kufiri me Ukrainën, u mbyll nga autoritetet vitin e kaluar. Nga rreth një mijë banorë sa kishte dikur, sot kanë mbetur më pak se dhjetë, që jetojnë aty me rrezikun e tyre.

Autoritetet u premtuan të evakuuarve kompensim për shtëpitë e tyre, por shumica ende janë në pritje. Forcat ukrainase kanë hyrë në Kozinka dy herë, në vitet 2023 dhe 2024. Një pjesë e fshatit u shkatërrua gjatë luftimeve, por sipas banorëve të mbetur, civilët nuk ishin objektiv i sulmeve.

Alexandra Severina, një ish-banore 87-vjeçare, kujton me një buzëqeshje të zbehtë ushtarët ukrainas që hynë në fshat me automjete të blinduara. Ata konfiskuan telefonat celularë, por i lanë të grumbulluar nën një pemë, që banorët t’i merrnin pasi të tërhiqeshin.

“Ne gjithmonë kemi jetuar në harmoni me ukrainasit. Ata janë njerëz të mirë”, thotë Katerina Matveyevna, një nga të paktët që kanë mbetur në atë që ka mbetur nga Kozinka. Si shumica e banorëve në zonat kufitare, ajo flet surzhyk – një dialekt që përzien rusishten dhe ukrainishten – dhe ka miq e të afërm në anën tjetër të kufirit.

Dikur, ata këndonin së bashku këngë të Krishtlindjeve dhe kalonin kufirin për të bërë pazar: salçiçet ishin më të lira në Ukrainë, ndërsa benzina në Rusi.

Sot, kufiri mbikëqyret nga dronët. “Nëse është ukrainas, gumëzhin si mushkonjë; nëse është rus, gumëzhin si bletë”, thotë Nikolai, i cili transporton njerëz mes Kozinkës dhe qytetit të Belgorodit, kryeqendrës rajonale rreth 40 kilometra larg.

Lexo më shumë  Dyshimet/ Epstein punonte për KGB dhe Mossad: VIP-at futeshin në kurth me vajza ruse

Gjatë katër viteve të fundit, banorët e Belgorodit – një qytet që dikur kishte rreth 400 mijë banorë dhe sot ka dukshëm më pak – janë mësuar me realitetin e luftës. Por që nga fillimi i janarit, kur raketat ukrainase goditën termocentralin e qytetit, rajoni është përballur me rrezikun e ndërprerjes së energjisë elektrike. Furnizimi me energji dhe ngrohje është rikthyer kryesisht, por rezervat nuk janë të mjaftueshme për të përballuar nevojat e të gjithëve, sipas guvernatorit rajonal, Vyacheslav Gladkov.

Më 13 janar, Gladkov paralajmëroi se qyteti mund të evakuohej në rast të një ndërprerjeje të plotë të energjisë. Paralajmërimi shkaktoi reagime të forta në median ruse, por për banorët vendas, jeta vazhdoi pothuajse normalisht. Ata shkojnë ende në punë çdo mëngjes dhe shpesh i injorojnë sirenat e sulmeve ajrore. Në fakt, Belgorodi duket më i gjallë se dy vjet më parë, kur u godit nga raketat ukrainase si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ruse mbi Kharkivin dhe qytete të tjera ukrainase.

Pranë vendit ku u vranë 25 persona është ngritur një memorial i improvizuar me lodra dhe lule. Megjithatë, shqetësimi i shumë banorëve nuk lidhet vetëm me sulmet ajrore, por edhe me politikat e fundit të autoriteteve lokale. Më 12 janar, guvernatori Gladkov shpalli një luftë kundër “armiqve të brendshëm” dhe atyre që, sipas tij, “mbjellin pakënaqësi”.

Në një klimë të tillë pasigurie, askush nuk është i sigurt nëse përshkrimi i vështirësive të përditshme pranë vijës së frontit mund të konsiderohet akt kundërshtimi, ndaj shumica preferojnë të heshtin. Një listë paraprake e atyre që akuzohen për “nxitje paniku” përfshin grupe në rrjetet sociale që diskutojnë problemet e banorëve, si dhe Pepel – një kanal lajmesh në Telegram me rreth 100 mijë ndjekës, i drejtuar nga Nikita Parmenov, një gazetar nga Belgorodi që jeton në emigrim dhe mbështetet në kontributet e banorëve vendas.

Lexo më shumë  Armë për Rusinë nga Evropa, Gjermania zbulon rrjetin sekret të eksporteve të paligjshme

Zemërimi i autoriteteve ndaj këtij kanali nuk lidhet aq me përmbajtjen, sa me rolin e tij në koordinimin e vullnetarëve që shpërndajnë ujë dhe ndihma për shtëpitë e dëmtuara. Nismat qytetare shihen me dyshim nga pushteti, i cili ka tentuar të zëvendësojë këtë mbështetje duke lançuar një “program vullnetar” zyrtar, raporton The Economist.

Ndërkohë, qeveria po përpiqet ta paraqesë Belgorodin si një qytet heroik në vijën e frontit. Një ekspozitë fotografike në parkun kryesor të qytetit paraqet ushtarë që mbrojnë atdheun. Megjithatë, pak kalimtarë ndalen për ta parë. “Të gjithë janë të lodhur”, thotë një qytetar, duke fshehur fytyrën.

 “Shumë prej atyre që e mbështetën luftën në fillim, tani janë të zhgënjyer.”

Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat e një ankete të realizuar në janar nga portali lokal Fonar. Rreth një e katërta e të anketuarve thanë se ndiheshin “të shkatërruar dhe të zhgënjyer”, ndërsa një përqindje e ngjashme e konsideronte jetën e tyre si të ngrirë në pritje. Vetëm 6 për qind deklaruan se kishin ndihmuar pjesëmarrësit në atë që Rusia e quan “operacion special ushtarak”.

Ilya Kostyukov, aktivist politik dhe avokat në Belgorod, thotë se shumë ushtarë i drejtohen atij për ndihmë ligjore, me shpresën për të ndërprerë kontratat e tyre ushtarake. Sipas tij, për më shumë se një vit, as ushtarëve të plagosur nuk u është lejuar të largohen nga shërbimi.

“U them sinqerisht: mund të përplasni kokën në mur dhe të më paguani miliona, por nuk do të kemi sukses,” thotë ai. /The Geo Post/

Rruga Press

YouTube player