Opinion/Aktualitet

PRAKTIKU DHE HIPOKRITI – KURTI DHE RAMA

Shkruan Sebastian Zonja

Studiuesit e filozofit gjerman Imanuel Kant thonë një gjë interesante – praktika qendron pas teorisë. Deri vonë kisha mendimin se veprojmë së pari, pastaj ulemi dhe teorizojmë mbi të. Por ja që mendimtari illuminist gjerman thotë të kundërtën, që praktika është pikërisht shumatorja e mendimeve teorike.

E përkthyer në realitetin politik shqiptar kjo do të thotë, pak a shumë, se për të vepruar në arealin ballkanik apo më gjerë, duhet të kesh nja 100 plane të mirëfillta diplomatiko – politiko – ekonomike, e më pas të hedhësh hapat e duhur.

Këtë fillimjavë, Albin Kurti u nis për në Bruksel për bisedime me presidentin Aleksandër Vuçiç. Pak a shumë, në ligjëratat e tij publike, Kurti ka radhitur qendrimet që do të mbajë, ndërsa ka thënë se duhet shfrytëzuar “çasti amerikan”. Kësisoj e ka pagëzuar “Çasti Amerikan”. Fiks si ata realpoliticienët e rrallë, që me zor presin t’i jepet rasti dhe ta shfrytëzojnë maksimalisht. Veç pak, sa një xixëllonjë, e përmendi Amerika, Kosovën, dhe Kurti e mori e bëri këtë temë sa një buall. E thotë gjithandej se Amerika tha…; përsërit pastaj se Europa kërkon paqe; pastaj thotë se parimet euro-amerikane nuk e lejojnë Zajednicën… Fiks si të ketë vite që mendon për këtë moment. E si të mos e quash atdhetar një burrështetas që kërkon t’i jap zgjidhjen më të mirë problemeve të vendit të tij. Kombi dhe shtetndërtimi qëndron mbi ideologjinë. Kurti është praktik e pragmatik.

Në krahun tjetër, në Shqipëri, amerikanët kanë ndërmarrë një fushatë “gjuetie”. Ka 30 vjet stanjacion. 30 vjet pluralizëm pa demokraci, e 30 vjet kapitalizëm pa pronë te i zoti.

Është shpallur “non-grata” ish-kryeministri S. Berisha, ndërkohë që priten edhe të tjerë. Por kërkesa e shqiptarëve është nëse ka një tip kaq praktik e pragmatik në Shqipëri që po e shfrytëzon rastin për të thithur investime, për të rregulluar parametrat e demokracisë, të lirisë etj?

Jo, fatkeqësiht, nuk ka.

Të gjitha palët po bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë – komplotet levantine. Po presin që demokrati J. Biden të humb në zgjedhjet për Kongresin amerikan. Luten përnatë për këtë gjë. Sepse Republikanët do të fillojnë pastaj kundërshtitë e forta. Ka aq shumë probleme të mprehta Amerika së brendshmi, sa ku i dihet kur do të jetë sërish në vëmendje të Shtëpisë së Bardhë, Shqipëria e Ballkani. Madje, edhe europiano-lindorët janë të shqetësuar për këtë fokus të fortë amerikan në Azi – Paqësor.

Dhe me këto lutje të përshpirtshme në grup përnatë, me intrigat levantine që mbërrijnë deri në brigjet amerikane, pushtetarët e Shqipërisë londineze e dinë se pas humbjes së Kongresit askush s’do të ketë shumë kohë që të merret me intrigat dhe pushtetin këtu. Vetëm për ta ilustruar sa fokus ka marrë Ballkani, vlen të themi se rajoni mori vëmendje edhe në takimin e fundit mes presidentit J. Biden dhe kancelares A. Merkel.

Në Kosovë, Albin Kurti e ka një plan se ku kërkon ta dërgojë shtetin e tij.

Këtu, në Shqipëri, Rama s’e ka një plan, ose s’na e thotë se i dukemi budallenj, se ku e sheh Shqipërinë pas disa vjetësh. E gjithë kjo mendësi vasali, dumbabiste, që s’e shfaq qenien shqiptare në botë, në Shqipërinë londineze, fuqizohet nga disa tipa që babai u bërtiste, vriste e priste në emër të sovjetikëve, biri bërtet e të çjerr pro amerikanëve. Babai bërtiste pro bazës sovjetike, biri pro bazës amerikane. Në të gjitha rastet e borohorimave ajo që mbetet pa u reaizuar është mosthemelimi i një praktike të konsoliduar diplomatike e politike. I sheh nëpër studio të kapardisen e të shkruajnë qyfyre nëpër gazeta e portale. Aleat me amerikanët dhe fuqitë e tjera bëhesh duke luftuar korrupsionin, duke çelur industri punësimi, duke zhvilluar vendin – e kësisoj të vlerësojnë më shumë. Edhe gruaja që ke në shtëpi të vlerëson kur shkon në punë e sjell për të ngrenë, jo kur del gjithë ditën te lokali i lagjes e thua – ma mbaj pak këtë kopilin të dal e të shaj atë kurvë!

Se të jetë për brohoritës, çdo perandori ka pasur me mijëra të tillë në Shqipëri.

Albin Kurti e do vendin e vet. E do Kosovën. Ka besim se me shqiptarët mund të bëhen gjëra të mëdha. Edi Rama s’e do vendin e vet. S’e do Shqipërinë. S’ka besim se me shqiptarët mund të bëhen gjëra të mëdha.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *