Prag Angli-Shqipëri, Cikalleshi e Roshi: Besojmë te mrekullitë
Dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të Kombëtares. Për kualitetin dhe eksperiencën. Në vitin 2016, Sokol Cikalleshi dhe Odise Roshi ishin protagonistët e kualifikimit në Kampionatin Europian.
Pas atij rezultati historik, senatorët besojnë se Shqipëria mund ta përsërisë surprizën. Që kjo të realizohet, nevojitet rezultat pozitiv në Angli.
“Goli në Uembli, nëse nuk do të jepte rezultat, nuk besoj se do të ndryshonte shumë në aspektin personal timin. Duhet të dimë që nëse do të jemi të gjithë bashkë dhe të nxjerrim më të mirën tonë, atëherë mund të kemi ndonjë shans. Duhet të jemi realistë, diferenca e Anglisë është e nivelit botëror. Duke nxjerrë çka kemi ne dhe duke luftuar si në ndeshjen me Francën ku kemi barazuar, apo me Portugalinë, që ne kemi treguar se mund të arrijmë rezultat”, u shpreh Cikalleshi.
Roshi shpreson te një tjetër mrekulli. Forma e mirë e disa lojtarëve, mund të jetë një plus i madh për kuqezinjtë.
“A besoj te kualifikimi? Mrekullitë kanë ndodhur dhe prandaj janë të bukura. Shpresoj që të ndodhë kjo gjë. Kështu kemi shkuar edhe në Portugali në 2014 dhe e kemi fituar ndeshjet. Tani lojtarët janë në formë, si Cikalleshi që ka qenë edhe lojtari i javës në formacion në Turqi. Ashtu ka edhe lojtarë të tjerë, si Bare, Kumbulla, Ismajli, që luajnë në nivele shumë të mira”, deklaroi Roshi.
Rruga Press