Portreti i të dashurës së Picassos pritet të shitet për mbi 60 milionë dollarë
“Femme nue couchée” (“Gruaja e zhveshur e shtrirë”) e Pablo Picasso-s, një portret i të dashurës dhe muzës së tij Marie-Thérèse Walter, mund të shitet për më shumë se 60 milionë dollarë kur të bëjë debutimin e tij në ankand, muajin e ardhshëm.
Vepra, e pikturuar në prill të vitit 1932, mund të bëhet një nga portretet më të vlefshme të Walter-it të ofruar ndonjëherë në ankandin e Sotheby’s në New York, më 17 maj, shkruan CNN.
Sipas shtëpisë së ankandeve, portreti i rrallë vjen nga një nga vitet më pjellore të karrierës së artistit, dhe e kap Walter-in si një krijesë deti, me gjymtyrë gri, të mjerë dhe fytyrë gruaje në profil.
Picasso ishte pionier “në historinë e figurës nudo me përshkrimin e saj të shtrirë në një hapësirë shumë të abstraktuar, duke theksuar figurën e saj biomorfike me prekje të pjellorisë, seksualitetit dhe hirit”, ka thënë Sotheby’s në një deklaratë.
Helena Newman, drejtuesja botërore e Artit Impresionist dhe Modern të ankandit, e përshkroi “Femme nue couchée” si një “vepër novatore, jashtëzakonisht sensuale”.
Picasso u takua me Walter për herë të parë në Paris në vitin 1927 kur ajo ishte 17 vjeç, dhe ai ishte ende i martuar me gruan e tij të parë, Olga Khokhlova, një balerine ruso-ukrainase. Kështu Walter do të bëhej frymëzim për disa nga vizatimet dhe skulpturat e tij më të kërkuara.
Sotheby’s ka thënë se shitësi anonim bleu “Femme nue couchée” direkt nga pasardhësit e Picasso në vitin 2006 pasi piktura u mbajt në pasurinë e artistit për dekada.
Vitin e kaluar, shtëpia e ankandeve Christie’s New York shiti “Femme assise près d’une fenêtre (Marie-Thérèse)” të Picasso-s për 103.41 milionë dollarë, krahasuar me një vlerësim fillestar prej 55 milionë dollarësh.
Në vitin 2010, “Nude, Green Leaves and Bust” e artistit iu shit një ofertuesi të paidentifikuar telefonik në Christie’s Neë York, për më shumë se 106 milionë dollarë.
Rruga Press