Portalet maqedonase vazhdojnë ta quajnë pushtimin rus si “operacion special”
Prej ditës së parë mediat në gjuhën maqedonase, kryesisht ato online dhe që njihen si kundërshtare të ish kryeministrit Zoran Zaev, vazhdojnë ta quajnë invazionin total rus në Ukrainë si “ Руска Специјална Операција” (Operacioni Special Rus).
Portale dhe motorrë kërkimi mediatik si Max, Grid, etj, vazhdojnë të prodhojnë lajme të rreme me filtra dhe terminologji të brumosura në mediat shtetërore ruse.
Së fundmi, nga MPB dhe Prokuroria Publike , përkatësisht u njoftua se” Mohimi i krimeve të luftës” në këtë rast krimet ruse, janë të dënueshme.
Sipas tyre, në përputhje me kompetencat ligjore do të ndërmarrin masa kundër të gjithë atyre që publikisht do të miratojnë ose justifikojnë genocidin, krimet kundër njerëzimit ose krimet e luftës.
MPB thotë se kjo dënohet sipas nenit 407-a të Kodit Penal.
“Ligji parashikon se kushdo që publikisht mohon, minimizon, miraton dhe justifikon akte të tilla nëpërmjet një sistemi informacioni, dënohet me burg nga një deri në pesë vjet. Nëse vepra është kryer me qëllim të nxitjes së urrejtjes, diskriminimit ose dhunës ndaj një personi ose grupi personash për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare, etnike ose racore ose fetare, kryesi i veprës dënohet me së paku katër vjet burgim. Në nenin 404 të Kodit Penal, nga ana tjetër, saktësisht thuhet se çfarë përfshin termi krim lufte kundër civilëve”, sqarojnë nga MPB-ja.
Me lajmet e rreme të luftës, një punë mjaft të mirë po e kryejnë mediat e pavarura, ku disa prej tyre kanë dërguar reporterët e tyre në Ukrainë, por edhe disa faqe civile online, që merren specifikisht me fenomenin “fake news”.
E megjithatë, riprodhimi i lajmeve ruse në Maqedoninë e Veriut mbetet problematik, aq sa media ndërkombëtare e kanë përmendur disa herë ndikimin e faqeve të caktuara nga Shkupi e Velesi, në riprodhimin e lajmeve të rreme gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA në vitin 2016.
©Rruga Press