Polonia kërkon të aktivizohet Neni 4 i NATO-s – Çfarë parashikon ai?
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka thënë se shkelja e hapësirës ajrore të shtetit të tij nga një numër i madh dronësh rusë, është provokim i pakrahasueshëm dhe i rrëzikshëm.
Duke folur para deputetëve në Parlament, Tusk ka thënë se Polonia ka kërkuar të thirrej në Nenin 4 të traktatit të NATO-s, i cili u lejon vendeve anëtare të ngrenë një çështje në Këshillin e Atlantikut të Veriut (organi kryesor vendimmarrës politik i NATO-s).
Më pas mbahen konsultime për të përcaktuar nëse integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e një vendi anëtar është kërcënuar.
Tusku thotë se pret mbështetje më të madhe gjatë këtyre konsultimeve.
“Kjo nuk është vetëm një luftë për ukrainasit. Ky është një përballje që Rusia ka shpallur kundër të gjithë botës së lirë”, ka thënë ai.
Çfarë është Neni 4 i NATO-s?
Sipas Traktatit të Uashingtonit të vitit 1949, Neni 4 i jep të drejtë çdo shteti anëtar të kërkojë konsultime urgjente me aleatët, nëse konsideron se siguria, integriteti territorial ose pavarësia politike e tij është e rrezikuar.
Ky nen nuk nënkupton ndërhyrje ushtarake automatike, por sjell çështjen para Këshillit të Atlantikut të Veriut për të diskutuar masa të mundshme politike, diplomatike apo parandaluese.
“Kambanë alarmi”, jo luftë
Ndryshe nga Neni 5, që flet për mbrojtje kolektive në rast sulmi, Neni 4 konsiderohet si një “kambanë paralajmëruese”, që sinjalizon një rrezik të afërt dhe hap rrugën për vendime strategjike.
Këto masa mund të përfshijnë patrullime ajrore të përforcuara, vendosje të trupave në vendet lindore të NATO-s apo edhe ushtrime të përbashkëta ushtarake.
Sipas qeverisë polake, 19 shkelje të hapësirës ajrore nga avionë rusë janë regjistruar kohët e fundit, duke e vendosur vendin përballë një rreziku real.
Duke kërkuar aktivizimin e Nenit 4, Varshava kërkon mbështetje politike dhe ushtarake nga aleatët, por edhe një mesazh të qartë për Moskën se nuk është vetëm.
Neni 4 është aktivizuar vetëm 7 herë në historinë e NATO-s, ndër to:
• Turqia (2003, 2012, 2015, 2020) për shkak të konflikteve në Lindjen e Mesme.
• Polonia, shtetet baltike (2014) pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.
• Polonia, Sllovakia, Hungaria, Bullgaria, Rumania (2022) pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Aktivizimi i Nenit 4 nga Polonia nuk është vetëm një reagim ndaj shkeljeve ajrore, por një strategji për të mobilizuar vëmendjen e gjithë NATO-s përballë veprimeve të Rusisë.
Rruga Press

