Politikani ukrainas Oleksiy Goncharenko: Serbia mund të ndërmarrë veprime agresive në Ballkan
Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, ka deklaruar se nuk mund të përjashtohet mundësia që Serbia të ndërmarrë “aksione agresive” kundër shteteve të Ballkanit dhe se konfliktet mund të jenë të pranishme në vitet e ardhshme.
Sipas politikanit ukrainas, konfliktet në Ballkan mund të lindin nga Serbia, bazuar në “atë që Rusia po bën në Ukrainë”.
“Për mendimin tim, Serbia, duke parë se çfarë po bën Rusia në Ukrainë, mund të ndërmarrë edhe veprime agresive. Fatkeqësisht, vitet e ardhshme mund të mbushen me konflikte ushtarake në mbarë botën dhe Ballkani, për fat të keq, mund të mos përjashtohet”, tha ai.
Ndërsa po diskutohet çështja e armëpushimit në Ukrainë, ai shtoi se është shumë e diskutueshme, por e vështirë për t’u arritur.
“Marrëveshjet përfundimtare në Riad (në Arabinë Saudite) janë të pamundura. Tani kemi filluar të dëgjojmë dhe shohim disa plane të mundshme për marrëveshje dhe rezultate të përgjithshme nga të dyja palët, pa ndonjë rezultat të qartë. Sipas informacioneve të mia, negociatat nuk kanë shkuar mirë për rusët. Ata prisnin diçka, por morën një ofertë në stilin e Donald Trump, e cila nuk u pëlqeu shumë”, tha Goncharenko në një përgjigje për KOHËN.
Goncharenko është një nga politikanët e paktë në Ukrainë që ka bërë thirrje për njohjen e Kosovës. Ai përmendi se lufta e ka ngadalësuar procesin, por shtoi se do të bënte “çdo gjë të mundshme për ta arritur këtë”.
Ai e quajti “të pakuptimtë” refuzimin e Ukrainës për të njohur Kosovën.
“Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën për arsye që janë krejtësisht të paqarta për mua. Unë kam folur për një kohë të gjatë për nevojën e një hapi të tillë dhe kam bërë përpjekje për të bindur kolegët e mi në parlamentin ukrainas. Madje kam paraqitur një projektligj. Tani për shkak të luftës ky proces është ngadalësuar, por unë do të bëj gjithçka që ky dokument të miratohet në të ardhmen”, tha politikani ukrainas.
Deputeti Goncharenko ka vizituar Kosovën gjatë periudhës së agresionit rus. Ai ka qenë edhe avokat i Kosovës në Këshillin e Evropës, ku ka deklaruar se “Kosova është Evropë”.
Rruga Press