KryesoreLajme

Politikani serb Dragan Shormaz: “NIS”-i për Rusinë është instrument destabilizimi në Evropë dhe platformë inteligjence

Shkruan Dragon Shormaz

Pasi e çoi vendin në një pozicion të pashpjegueshëm politik dhe diplomatik, Aleksandar Vuçiq u detyrua të pranojë dy të vërteta që deri dje i mohonte kategorikisht.

E para, se pronarët rusë të NIS-it as nuk kanë pasur dhe as nuk kanë shprehur ndonjëherë gatishmëri reale për të shitur aksionet e tyre në kompaninë e sanksionuar, një hallkë kyçe për sigurinë energjetike të Serbisë.

Në këtë kontekst lind pyetja: mbi ç’bazë presidenti Vuçiq dhe ekipi i tij prisnin një licencë të re nga OFAC-u, kur për dhjetë muaj rresht, së bashku me palën ruse, keqinformonin dhe mashtronin institucionet amerikane? Me çfarë kredibiliteti mund t’i kërkojë Serbia diçka partnerëve ndërkombëtarë në të ardhmen, kur ka sakrifikuar reputacionin e saj vetëm për t’i mundësuar edhe dhjetë muaj funksionim kompanisë së sanksionuar ruse NIS?

Po aq i paqartë mbetet edhe supozimi i Vuçiqit dhe këshilltarëve të tij joprofesionistë se Janaf-i do të pranonte pretendimin se nafta bruto e importuar nuk do të përfundonte në duart e kompanisë ruse, duke anashkaluar kështu sanksionet amerikane. Në fund të fundit, për çfarë do t’i shërbente Serbisë nafta e papërpunuar, kur e vetmja rafineri në vend gjendet nën regjim sanksionesh?

E vërteta e dytë që presidenti serb u detyrua të pranojë është ekzistenca e mundësive reale për diversifikimin e furnizimit me gaz. Duke vendosur një ultimatum ndaj palës ruse që deri të premten të konfirmohet kontrata e re e furnizimit, Vuçiq paralajmëroi se në mungesë të një përgjigjeje pozitive, Serbia do të nisë negociatat për sigurimin e gazit nga burime alternative.

Shtrohet pyetja: si është e mundur që tani, krejt papritur, të flitet për furnizim me gaz nga burime të tjera, kur Vuçiq dhe zëdhënësit e tij për dhjetë vjet me radhë na bindnin me këmbëngulje se diversifikimi i furnizimit me gaz ishte i pamundur? Si ka qenë e mundur që çështjes më të rëndësishme ekonomike dhe të sigurisë së shtetit serb t’i qaseshin në mënyrë kaq diletante dhe mashtruese?

Për më tepër, tashmë është bërë e qartë se si Vuçiq, ashtu edhe ministrja e energjetikës Dubravka Handanović, kanë mashtruar me vetëdije opinionin publik kur deklaruan se nga autoritetet amerikane vetëm kohët e fundit kishin marrë kërkesën eksplicite për largimin e plotë të pronësisë ruse nga NIS. Në dokumentin e sanksioneve, që nga fillimi shkruante qartë “remove” e jo “reduce” — thjesht Vuçiq dhe këshilltarët e tij ose nuk deshën, ose nuk ditën ta lexonin.

Lexo më shumë  Shqipëria po plaket, fuqia punëtore po tkurret

Po aq nuk e kuptuan faktin elementar se OFAC-u ka marrë vendimin përfundimtar për NIS-in më 8 tetor dhe se nuk do të ketë asnjë vendim të ri derisa të përmbushen kushtet e kërkuara.

Realiteti është se Rusia nuk ka asnjë interes strategjik ta shesë NIS-in. Edhe pse në publik herë pas here shfaqen spekulime për një shitje të mundshme, çdo transaksion i tillë do të ishte i dëmshëm për Moskën – politikisht, financiarisht dhe gjeopolitikisht.

Çdo shumë parash e arkëtuar nga Gazprom Neft në rast shitjeje do të bllokohej menjëherë sapo të hynte në sistemin financiar ndërkombëtar. Për më tepër, një numër gjithnjë e më i madh shtetesh synojnë t’i kanalizojnë të ardhurat e ngrira ruse drejt fondeve për rindërtimin e Ukrainës. Një skenar i tillë është i papranueshëm strategjikisht për Kremlinin.

Shitja do të nxirrte në dritë se çfarë realisht ka përfituar Rusia nga marrëveshja e vitit 2008 me Serbinë. Çdo proces serioz shitjeje nënkupton një auditim po aq serioz! Ky auditim do të ekspozonte hapur se Serbia humbi një kompani strategjike, humbi garancitë politike (Kosovo, Rrjedha e Jugut), dhe në këmbim fitoi vetëm varësinë nga energjentët rusë. Për Moskën, një zbulim i tillë do të ishte goditje e fortë në rajon.

Përmes pronësisë shumicë në NIS, Rusia siguron ndikim ekonomik, politik, mediatik dhe të shërbimeve sekrete. NIS është mekanizëm presioni ndaj qeverisë serbe, burim ndikimi politik, instrument për blerjen dhe kontrollin e mediave dhe mjet për operacione të inteligjencës në rajon.

Rafineria e Pançevës ka vite që funksionon pa remont të plotë, pasi Siemens—për shkak të sanksioneve të mëparshme—refuzon të furnizojë komponentët kyç. Shitja do të hapte pyetjen mbi gjendjen reale të rafinerisë dhe përputhshmërinë e saj me standardet e sigurisë.

Serbia është një platformë kyçe për operacionet hibride ruse në rajon dhe Evropë. Kremlini e përdor si bazë logjistike, qendër financiare për rrjedha të fshehta parash, terren për trajnim të grupeve destabilizuese, qendër propagande dhe instrument presioni politik. Humbja e NIS-it do të thoshte humbje të infrastrukturës financiare dhe të një pjese të aparatit informativ rus.

NIS për Rusinë nuk është thjesht një kompani. Është një levë gjeopolitike, një platformë e inteligjencës dhe një instrument për destabilizimin e Evropës. Pikërisht për këtë arsye, Putini nuk do ta shesë NIS-in askujt — e aq më pak Serbisë.

Nëse lexohet njoftimi i fundit i Gazpromit, bëhet e qartë se kompania i dërgon mesazh opinionit sikur të vazhdojë punën normalisht, si të mos jenë vendosur sanksione, dhe se qytetarët e Serbisë mund t’i përdorin shërbimet e saj pa asnjë problem. Me këtë qasje, ata në fakt e vendosin të gjithë sistemin financiar serb në rrezik serioz të sanksioneve sekondare.

Lexo më shumë  Macron: SHBA dhe Evropa duhet të punojnë së bashku për paqen dhe sigurinë e Ukrainës

Ashtu siç e futi Miloševiqi vendin në një konflikt të panevojshëm me NATO-n, Rusia sot kërkon të izolojë plotësisht Serbinë dhe të forcojë tek ajo një sentiment të thellë anti-perëndimor. Ata paraqiten si “mbrojtës”, por në realitet përbëjnë rrezik për interesat thelbësore të popullit serb.

Më në fund, përmasat e mosseriozitetit dhe servilizmit të regjimit të Vuçiqit ndaj Kremlinit tregohen edhe nga pretendimi i presidentit serb se sanksionet amerikane qenkan në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Çdo student i vitit të parë Juridik e di se jo vetëm që nuk ekziston ndonjë normë ndërkombëtare që ndalon vendosjen e sanksioneve ndaj regjimeve agresore, por përkundrazi, Karta e OKB-së parashikon të drejtën dhe detyrimin për marrjen e masave të tilla me qëllim ruajtjen e paqes dhe rendit juridik ndërkombëtar.

Në të njëjtën mënyrë, nacionalizimi paraqitet me qëllim si “grabitje”, megjithëse është një mekanizëm legjitim për mbrojtjen dhe avancimin e interesit publik. Po të mos ishte kështu, çdo eksproprijim toke për ndërtimin e një autostrade, për shembull, do të duhej konsideruar “grabitje komuniste”, ashtu siç Vuçiq dhe propagandistët e tij po përpiqen ta portretizojnë muajt e fundit.

Politika e neutralitetit të rremë dhe e një pavarësie iluzore që dorëzohet sa herë përplaset me interesat ruse ka arritur pikën e saj të fundme. Çdo përpjekje për të vazhduar me këtë kurs do të ketë një kosto aq të lartë sa do të bëhet e padurueshme për Serbinë.

Për këtë arsye, Vuçiq ose do të duhet të fillojë të mbrojë interesat kombëtare të Serbisë dhe t’u rikthejë qytetarëve të saj shtetin që faktori rus ia ka marrë peng, ose do të përballet me pasoja serioze – si për vendin, ashtu edhe për veten e tij personalisht. Zgjedhja i takon atij, nëse pas gjithë këtyre zhvillimeve është ende i aftë të marrë vendime racionale. /TheGeopost/

YouTube player