Lajme

Politikani nga Mali i Zi: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është fakt i kryer

Nikollë Gegaj, anëtar i bordit drejtues të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është fakt i kryer, ndërsa shtoi se vota kundër Kosovës në Komitetin për Politikë dhe Demokraci dëshmoi se pushteti ekzekutiv në Mal të Zi devijoi nga kursi euroatlantik.

“Në fund të fundit, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës – dhe goditja e ulët ndaj rrugës evropiane të Malit të Zi – është bërë fakt. Kjo do t’u mundësojë të gjithë qytetarëve të Kosovës, pra edhe serbëve që jetojnë atje, të kenë një shkallë më të madhe të mbrojtjes së të drejtave të tyre, pikërisht para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, deklaroi Gegaj.

Mali i Zi, përveç shteteve mosnjohëse brenda Këshillit të Evropës, doli në skenë duke votuar kundër Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë evropiane që është ngritur mbi parimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit. Maja Vukiçeviç, deputete nga radhët e Partisë Demokratike Popullore (PDP) në pushtet në Mal të Zi votoi kundër.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

“Kam frikë se me këtë procedurë i është dërguar mesazh ndërkombëtarëve se Mali i Zi ka devijuar nga kursi euroatlantik. Dua të shtoj se dikush dëshiron qëllimisht që vendi ynë të prishë marrëdhëniet e mira fqinjësore, gjë që është në kundërshtim me interesat e përcaktuara të politikës së jashtme të vendit tonë”, nënvizoi Gegaj, ndonëse shtoi se nuk habitet nga akti.

Duke komentuar mungesën e reagimit të presidentit dhe kryeministrit të Malit të Zi – Jakov Milatoviç dhe Millojko Spajiç – ndaj deputetes malazeze që votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, ai vlerësoi se të krerët aktual të shtetit synojnë t’i shkaktojnë Malit të Zi dëme të pariparueshme vetëm për të siguruar qëndrimin në pushtet.

“Nuk mendoj se gjithçka në politikë ka të bëjë me fitimin e pikëve të lira politike. Nëqoftëse do të ishte kështu, Millo Gjukanoviç, i cili ishte në krye të qeverisë, nuk do ta kishte marrë kurrë vendimin që Mali i Zi ta njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Ai vendim ishte i vështirë, por me kalimin e kohës u vërtetua se ishte shumë i mençur”.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Komiteti për Politikë dhe Demokraci në Këshillin e Evropës, më 27 mars, miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë – pro votuan 31 përfaqësues të shteteve anëtare, katër kundër dhe një abstenoi.

Do të duhen 2/3 e votave të deputetëve nga parlamentet e shteteve anëtare për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave – organit vendimmarrës – që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re e Këshillit të Evropës Kjo, nëse gjithçka shkon sipas planit, pritet të ndodhë në mes të majit.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, por moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit u kthye në pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatë, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.

Rruga Press

YouTube player