Bota

Policia gjeorgjiane arreston liderin e opozitës në ditën e katër të protestave anti-qeveritare

Policia në Gjeorgji ka arrestuar një nga udhëheqësit e opozitës herët të hënën, pasi përdori topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit antiqeveritar që u mblodhën jashtë parlamentit për natën e katërt radhazi.

Protestat u nxitën nga njoftimi i qeverisë javën e kaluar se po pezullonte bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, raporton Reuters. Kritikët e panë këtë si konfirmim të ndikimit nga Rusia për zhvendosjen nga politikat pro-perëndimore, diçka që partia në pushtet e mohon.

Koalicioni për Ndryshim, partia më e madhe opozitare në vend, ka thënë në një postim në X se Zurab Japaridze, një nga udhëheqësit e saj, ishte arrestuar nga policia ndërsa po largohej nga demonstrata.

Lexo më shumë  Këputen kabllot e internetit të Suedisë dhe Finlandës, dyshohet për akt sabotimi

Pamjet treguan Japaridze duke u vendosur në një automjet pa shenja nga policia e maskuar. Nuk dihet nëse ai do të akuzohet për ndonjë vepër penale.

Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë shprehur alarmin për atë që ata e shohin si kthim prapa demokratik nga Gjeorgjia, një vend me 3.7 milionë banorë që shtrihet në kryqëzimin e Evropës dhe Azisë dhe dikur ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Rusia mohon vazhdimisht ndërhyrjen në fqinjin e saj, por ish-presidenti Dmitry Medvedev paralajmëroi të dielën se Gjeorgjia “po lëvizte me shpejtësi përgjatë rrugës ukrainase, në humnerën e errët”, duke shtuar: “Zakonisht kjo lloj gjëje përfundon shumë keq”.

Të dielën mbrëma, protestuesit u mblodhën përsëri në Tbilisi në rrugën qendrore Rustaveli. Disa hodhën fishekzjarre ndaj policisë, e cila u përgjigj me breshëri me topa uji dhe gaz lotsjellës.

Policia përfundimisht i dha fund bllokimit duke i larguar demonstruesit nga ndërtesa e parlamentit.

YouTube player