Policia e Kosovës sekuestron 50 kamera ilegale në fshatrat me shumicë serbe në Gjilan, mblidhnin incizime pa autorizim
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë ka sekuestruar sot rreth 50 kamera të cilat kanë qenë të vendosura në vende publike në komunat me shumicë serbe, Kllokot, Partesh dhe Ranillug.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.
“Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan me datën 21.12.2023 në koordinim e prokurorinë e shtetit ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës kompetente në Gjilan në bazë të së cilës ka sekuestruar kamerat të cilat kanë qenë të vendosura në vende publike në komunat e Kllokot, Partesh dhe Ranillug të rajonit të Gjilanit. Sekuestrimi i kamareve është bërë për shkak të dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e veprës penale ‘’Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara’’ nga neni 202 i KPRK-së, në mbështetje të ligjit për Policinë e Kosovës me numër 04/L-076, neni 25 dhe ligjit numër 06/L-082 për mbrojtjen e të dhënave personale”, theksoi ai.
Osmani gjithashtu njoftoi se në lidhje me këtë urdhër të Prokurorit të shtetit është iniciuar rasti për veprën penale ‘’Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara’’ rast i cili vazhdon të hetohet nga sektori i hetimeve rajonale në Gjilan.
Rruga Press