Policia e Kosovës kujdeset për qytetarët e Banjskës
Rreth 100 pako ushqimore i ka shpërndarë Policia e Kosovës për qytetarët e fshatit Banjskë në Zveçan, ku dy ditë më parë pati sulme ndaj Policisë.
Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit.
Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre terroristë të vrarë e gjashtë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa terroristë të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.
Të hënën në mbrëmje janë publikuar pamjet nga droni, në të cilën shihen lëvizjet e sulmuesve serbë brenda dhe jashtë Manastirit të Banjskës.
Orët e para të së martës kanë kaluar qetë, ka konfirmuar Policia e Kosovës.







