Policia e Kosovës intensifikon aksionet në veri kundër kontrabandës: Bllokohen dhjetëra pajisje për kriptovaluta, pije të forta alkoolike dhe artikuj të tjerë
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla u shpreh në llogarinë e tij në facebook se Policia e Kosovës dhe njësitë kundër kontrabandës nga Dogana e Kosovës kanë kryer një aksion kundër kontrabandës në Leshak të Komunës së Leposaviqit.
Këtë aksion ministri e vlerëson në kuadër të zbatimit të misionit për sundim të ligjit dhe kundër kontrabandës.
Si rezultat i aksionit janë konfiskuar mallra të kontrabanduar, kartela grafike, pllaka elektronike për prodhim kriptovalutash dhe pajisje antiminer.
Postimi i plotë:
Në zbatim të misionit për sundim të ligjit dhe luftës kundër kontrabandës, Njësitet kundër kontrabandës nga Dogana e Kosovës dhe Njësitet relevante nga Policia e Kosovës sot kanë zhvilluar aksion të përbashkët në Leshak të Komunës së Leposaviqit.
Me këtë rast, nga ky aksion, në një lokal afarist njësitet kanë konfiskuar si mallra të kontrabanduara 93 kartela grafike, 8 pajisje Antiminer, 17 pllaka elektronike që shërbejnë për prodhimin e kriptovalutave si dhe 280 litra pije alkoolike dhe 96 litra pije joalkoolike.
Po ashtu, gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti të përbashkët, është hasur edhe një automjet i dyshuar të cilit i janë konfiskuar produkte ushqimore që po i kontrabandonte nga Serbia.
Falënderoj Doganën dhe Policinë e Kosovës për suksesin e sotëm por edhe për vendosmërinë e tyre për të luftuar çdo fenomen që cënon rendin dhe ligjet e Republikës së Kosovës.