Policia e Kosovës do të rrisë praninë në veri të vendit
Policia e Kosovës ka deklaruar se do rrisë praninë policore në veri në ditët në vijim, me qëllim të arritjes së objektivave të policisë. Nëpërmjet një komunikate për media të enjten, Policia ka thënë se ka kapacitet për menaxhimin dhe kontrollin e situatës së sigurisë dhe ruajtjen e rendit në të gjithë vendin, në kohën kur janë shtuar tensionet teksa pritet mbajtja e zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave në veri.
“Prioritet i Policisë së Kosovës është ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, andaj duke vlerësuar situatën dhe rrjedhat aktuale në komunat veriore, policia ditëve në vijim do të rris prezencën policore në veri me qëllim të arritjes së objektivave të policisë. Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe analizon zhvillimet në vend, duke bërë vlerësime profesionale në bazë të të cilave ndërmerr masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Rritjen e pranisë së Policisë së Kosovës në veri e ka paralajmëruar ditë më parë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti në reagimin e tij pas sulmeve në veri të Kosovës të martën, ku nuk janë lejuar zyrtarët e KQZ-së të kryejnë detyrën ka thënë se bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri pasi po e dinë se po ju vjen fundi.
Zgjedhjet për kryetar të katër komunave në veri: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, janë caktuar që të mbahen më 18 dhjetor. Ndërkaq, zgjedhjet për kuvendet komunale në komunat Zveçan dhe Leposaviq do të mbahen më 25 dhjetor.
Të martën në Zubin-Potok dhe në Mitrovicë të Veriut, zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë, derisa kanë tentuar t’i hapin zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore, janë sulmuar me shok-bomba dhe të shtëna në ajër, nga persona të panjohur. Si pasojë e kësaj atyre u është pamundësuar vazhdimi i procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri. Sulme në veri ka pasur edhe të mërkurën.
Rruga Press