Policia e Kosovës apelon për kujdes të shtuar në trafik për shkak të reshjeve të shiut
Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në trafik për shkak të reshjeve të shiut.
Në një njoftim publik, thuhet se si pasojë e reshjeve të shiut, në disa zona të vendit janë evidentuar vështirësi në qarkullimin rrugor. Sipas njoftimit zyrtar, problemet përfshijnë dëmtime të rrugëve, rrëshqitje dheu si dhe dëmtime në ura të caktuara.
“U bëjmë thirrje të gjithë shoferëve që të tregojnë kujdes dhe vigjilencë të shtuar, të respektojnë rregullat e trafikut dhe ta përshtatin vozitjen me kushtet aktuale të rrugës dhe dukshmërinë e reduktuar, në mënyrë që të shmangin aksidentet e mundshme”- thuhet në njoftimin e datës 07.01.2026.
Autoritetet policore kanë bërë të ditur se situata po monitorohet vazhdimisht dhe se prania policore në terren është rritur, me qëllim të menaxhimit të trafikut dhe parandalimit të incidenteve të mundshme.
Në disa zona të vendit më 06.01.2026 pati vërshime. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka parashikuar se reshjet e shiut do të vazhdojnë edhe më 07.01.2026.
Komunat që janë duke u ballafaquar me vërshime nga reshjet e dendura janë Rahoveci, Klina, Skenderaj, Drenasi, Gjakova, Fushë Kosova, Prizreni dhe Deçani.
Për shkak të kushteve të vështira klimatike, reshjeve të shumta dhe vërshimeve, disa komuna të vendit kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se më 06.01.2026, në Gjakovë është kërkuar ndihmë për evakuimin e mbi 20 familjeve, në koordinim me Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Sipas njoftimit, rajonet më të prekura janë: Fushë Kosovë, Drenas, Malishevë, Rahovec, Klinë, Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj dhe Gjakovë, ku janë regjistruar vërshime në oborre, bodrume dhe në disa rrugë.
KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar në lidhje me situatën me vërshime, përmes ekipeve në terren.
Shumica e lumenjve në Kosovë e sidomos ata në pjesën perëndimore dhe qendrore të vendit, gjatë këtyre dy ditëve (5 dhe 6 janar 2026) kanë pësuar ngritje, ku disa prej tyre, kanë dalë nga shtrati dhe kanë shkaktuar përmbytje lokale.
Kështu ka bërë të ditur Instituti Hidrometeorogjik i Kosovës ku theksohet se situata më e vështirësuar paraqitet në lumenjtë: Drini i Bardhë, Ereniku, Bistrica e Deçanit, Toplluha, Klina, Mirusha, Lumi Drenica, Lumi Istogut.
Ndërsa lumenjtë në lindje dhe jug të vendit si: Ibri, Sitnica, Morava e Binçës, Lepenci dhe Nerodimja, aktualisht kanë ngritje të lehtë të niveleve dhe nuk paraqesin probleme.
Instituti bëri të ditur se reshje, pritet do të ketë edhe më 07.01.2026, “të cilat do ta vështirësojnë edhe më shumë situatën e krijuar.”

