Policia e Iranit ngatërron trajnerin shqiptar me një grua, i dërgon mesazh për thyerje të ligjit të hixhabit
Trajneri shqiptar i futbollit, Shpejtim Arifi, është përballur me një situatë aspak të këndshme në Iran. Ai ka marrë një mesazh nga policia iraniane për shkelje të ligjeve të hixhabit në këtë vend, pasi u kap nga një kamera trafiku derisa ishte duke vozitur.
Mesazhi se kishte thyer këtë ligj, atij i erdhi pasi është ngatërruar me një grua për shkak të flokëve të tij të gjata.
Arifi, i cili ka nënshtetësi gjermane është trajner i ekipit të juniorëve të Persepolis. Në Iran, ai njihet si golashënues i fortë gjatë kohës së tij si futbollist profesionist për Persepolis.
“Mesazhi në fillim na tronditi sepse isha ngatërruar me një grua që shkel ligjin për hixhabin”, tha Arifi për Neës Sports. “Mendoj se ishte kamera e trafikut që ma mori imazhin. Shoku im u befasua në fillim, por më pas ne qeshëm me lot. Më vonë, shumë miq të tjerë telefonuan dhe dërguan mesazhe për të bërë shaka për këtë incident”.
Arifi në këtë prononcim ka shpjeguar se i kishte rritur flokët që në moshën 18-vjeçare dhe nuk kishte ndërmend t’i priste.
“Unë kam jetuar në Iran për shumë vite duke u dukur njësoj dhe kurrë nuk kam pasur ndonjë problem,” tha ai. “Unë mendoj se ishte një keqkuptim dhe asgjë nuk mund të ndodhë për këtë”.
Arifi i cili kishte lindur në Prishtinë, është një sulmues anësor, i cili fillimisht ka nënshkruar për klubin iranian, Payam Khorasan, në fund të sezonit 2007–2008 Iranian Pro League.
Ai ishte një lojtar i rregullt gjatë viteve 2008-2009 për këtë klub dhe ishte një nga golashënuesit më të mirë të ligës. Në verën e vitit 2009, Arifi u transferua te Persepolis, ku u shfaq në 32 ndeshje të ligës për këtë klub.
Rruga Press