Polemikat mbi HEC-et e Ballkanit
Denis Tahiri/Nusrah Hadzic
Rreth 2 796 hidrocentrale janë planifikuar të ndërtohen në Ballkan gjatë viteve të ardhshme. Sipas OJQ-së RiverWatch, 740 do të ndërtohen në Shqipëri, një vend me një shtrirje gjeografike prej pak më pak se 29 000 kilometra katrorë.
Pesëmbëdhjetë vjet më parë, ish-presidenti shqiptar, Sali Berisha, deklaroi ambicien e tij për ta shndërruar vendin në një superfuqi energjetike në Ballkan. Asnjë hulumtim nuk u përfshi në plan, as nuk u krye ndonjë studim fizibiliteti.
“Plani mori bekimin e investitorëve, të cilët natyrshëm e mbështetën nismën. Kjo bëri që të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore. Në kohën e Berishës në detyrë u nënshkruan 183 kontrata, u dhanë leje për 420 hidrocentrale të vogla”, thotë Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Eco Albania.
Procesi vazhdoi edhe gjatë administrimit të Edi Ramës, pavarësisht se qeveria u zgjodh me një premtim “për t’i dhënë fund kësaj çmendurie”, shton Nika. Sipas të dhënave të siguruara nga regjistri online i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, 252 kompani janë pajisur me leje ndërtimi dhe funksionimi për 500 hidrocentrale (HEC). Sipas Nikës, megjithatë, numri total i HEC-eve në Shqipëri është në fakt 740.
Cili është ndikimi mjedisor?
Miriam Ndini, inxhiniere civile dhe anëtare e grupit të punës që raporton për Shqipërinë në Panelin Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), thotë se hidrocentralet e vogla të Shqipërisë janë kryesisht instalime të tipit kaskadë, “nga rrjedhjet e lumenjve” dhe shumica e skemave kërkojnë vendosjen e argjinaturës ose devijimeve të kanaleve. “Instalime të tilla shkaktojnë një shkëputje midis ujërave të thella dhe sipërfaqësore, megjithatë duhen vite që ndikimi të bëhet i dukshëm”, thotë Ndini.
Ministria shqiptare e Mjedisit nuk është dakord. Për sa i përket ndikimit mjedisor të HEC-eve, ministria pohon se energjia hidroelektrike është një nga format më miqësore me mjedisin për prodhimin e energjisë.
Bazuar në studimet dhe vëzhgimet e tij afatgjata, Olsi Nika thotë se pasojat e hidrocentraleve të vogla janë katastrofike për mjedisin dhe biodiversitetin. “Shtatëdhjetë lloje peshqish që gjenden vetëm në Ballkan banojnë në këta lumenj: gjetkë kanë ngordhur. Pse? Sepse habitatet e tyre janë shkatërruar nga dora e njeriut”, thotë Nika.
Energjia diellore, një alternativë më e mirë?
Alex Miho, profesor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, konfirmon se ndryshimet në rrjedhën e ujit çojnë në një përkeqësim të cilësisë së tij, gjë që nga ana tjetër ka një efekt goditës në ekosistemet e lumenjve në tërësinë e tyre. Në shumë lumenj të Shqipërisë, funksionimi i HEC-eve tashmë ka shkatërruar popullatën vendase të ngjalave.
Nika ka kryer një kërkim të gjerë për troftën. “Në fazën e larvave, trofta ka nevojë për kushte specifike pranë burimit të lumit. Këto kushte nuk gjenden përgjatë gjatësisë së një rrjedhe ujore. Në momentin që ngrihet një digë, trofta nuk mund të hyjë në portat e saj”, thotë ai.
Një problem tjetër që vë në dukje Nika është se pothuajse 40% e HEC-eve të planifikuara në Shqipëri janë brenda ose shumë afër zonave të mbrojtura, që do të thotë se ata janë të detyruar të ndikojnë në ekosistemet tashmë të brishta.
Ndini shton se – duke marrë parasysh ndryshimin e klimës – Shqipëria do të kishte bërë më mirë të zgjidhte energjinë diellore si burimin kryesor të krijimit të energjisë. “Ne kemi diell pafund; kemi 220 ditë me diell në vit. Sigurisht, kemi edhe lumenj dhe ujë, por ndryshimet klimatike po e ndryshojnë kohën kur sasitë e nevojshme të ujit janë të disponueshme. Periudhat e thata po bëhen më të gjata dhe temperaturat po rriten. Kjo është situata, ne duhet të fokusohemi më shumë në energjinë diellore”, thotë ajo.
“Lumi është mjeti ynë i jetesës”
Për banorët e fshatrave pranë, ndërtimi i HEC-eve do të thotë shkatërrim. “Lumi është mjeti ynë i jetesës”, thotë 70-vjeçari Sotir Zahoaliaj nga fshati Brataj, buzë bregut të Shushicës në jug të Shqipërisë.
Resul Baleta nga fshati Guri i Bardhë në veri të Shqipërisë, thotë: “HEC-et rrezikojnë të ardhmen e fshatrave”.
“Fshati ynë është i bukur, i paprishur. Turistët sapo kanë filluar ta zbulojnë atë, por nëse projekti i HEC-it përparon, ne do të humbasim gjithçka.”
Megjithatë, polemikat mbi HEC-et nuk janë një problem unik shqiptar. Komunitetet në Bosnje dhe Hercegovinë po përballen me të njëjtën dhimbje koke. Sipas organizatës joqeveritare Eko Akcija, 115 hidrocentrale të vogla janë ndërtuar tashmë në Bosnje, dhe të paktën 340 të tjerë janë në faza të ndryshme të planifikimit, përgatitjes dhe ndërtimit.
Shoqëria civile merr përsipër biznesin e madh
Gratë nga fshati Krusçica në Bosnjën qendrore janë shembulli se si shoqëria civile ndihmon në mbrojtjen e lumenjve. Jo vetëm që bllokuan ndërtimin lokal të një HEC-i, por kanë inkurajuar përfshirjen edhe të të tjerëve që kujdesen për mbrojtjen e lumenjve në Bosnje. Lufta vazhdon që nga viti 2017, siç dëshmohet nga një debat publik i fundit në tetor, kur investitori në fjalë këmbënguli për të çuar përpara ndërtimin e HEC-eve të parashikuara.
“E kemi thënë katër vite më parë dhe e kemi përsëritur edhe sot gjatë dëgjesës publike: Krusçica nuk do të sakrifikojë një lumë në kurriz të jetës, ne po mbrojmë vetëm atë që është e jona”, thotë Amela Zukan, kryetare e shoqatës mjedisore Bistro.
Duke iu referuar mungesës së respektit të dhënë ndaj institucioneve dhe ligjeve nga të pasurit dhe të fuqishmit, Zukan shtoi se është “jashtëzakonisht e trishtueshme dhe e pabesueshme” që këshilli i qytetit thotë një gjë dhe investitori vazhdon projektin pa e çarë kokën.
‘Sepse na intereson ne’
Zukani dhe trimat e Krusçicës nuk janë gati të heqin dorë nga lumi. Amna Popovac, nga shoqata e Mostarit “Jer nas se tice” (fjalë për fjalë ‘sepse kjo na përket ne’), mbështet gratë e Krusçicës dhe beson se të vetmit njerëz të cilëve u shërbejnë mini hidrocentralet janë investitorët.
“Në Mostar kemi ndaluar ndërtimin e hidrocentraleve në kanalet e Bunës. Të tilla ndërtime janë për të ardhur keq: nuk na ofrojnë vende të reja pune dhe punësim, në fakt nuk na japin asgjë. Investitorët bëjnë ca para të shpejta duke mbushur xhepat e tyre në kurriz të burimeve që na takojnë të gjithëve ne”, thotë Popovac.
Ajo shton se me kapacitetin që ka për impiante me erë dhe diellore, Bosnja nuk ka nevojë për HEC-e. Ashtu si në Shqipëri, Bosnja, veçanërisht pjesa jugore, është plot diell dhe kjo energji mund të përdoret.
Aktivizmi mjedisor kërkon këmbëngulje
Maida Bilal, aktiviste mjedisore, ligjore dhe gjyqësore, mori çmimin Goldman për rolin e saj në fushatën për bllokimin e hidrocentralit të Krusçicës. Ajo u përfshi në aktivizmin mjedisor me qëllimin për të shpëtuar lumin, duke e ditur se do të ishte një luftë e vështirë, rraskapitëse, e rrezikshme dhe e gjatë.
Sipas Bilalit, qeveria po injoron përmasat e problemit. Ajo argumenton se “autoritetet duhet të miratojnë urgjentisht një ligj që ndalon ndërtimin e projekteve të dëmshme të hidrocentraleve të vogla dhe të reagojnë më shpejt ndaj inspektimeve dhe mbikëqyrjes.
Është e dukshme me sy të lirë se HEC-et shkelin të gjitha rregulloret për standardet minimale biologjike, “rrugët” nëpër të cilat lëviz peshku, ruajtjen e biodiversitetit etj.” Bilali konkludon se asnjë problem nuk mund të zgjidhet derisa i gjithë sistemi të vihet në lëvizje dhe gjithçka fillon nga individi.
Ajo ka një mesazh për bashkatdhetarët e saj boshnjakë: “Ata duhet të ngrenë zërin për lumenjtë tanë: ky ujë është thesari ynë i përbashkët kombëtar! Shpesh ne nuk jemi as të vetëdijshëm se çfarë kemi derisa ta humbasim atë, por nëse humbasim ujin, ne do të kemi humbur të ardhmen tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të fëmijëve të fëmijëve të tyre”.
Rruga Press