Poet laureat në një shkollë pa poezi!
Shkruan Blerinda Idrizi
Lumturohesh kur lexon motivacionin e dhënies së titullit “Poet laureat” në Shqipërii! Në se hap faqet e revistës “Nëntori” të viteve 50-të dhe 60-të nuk ka ndonjë dallim! Kolegjiumi redaksisë së revistës do e kishte zili për shkrimin e atij motivacioni jurinë e sotme që na zgjodhi poetin laureat ose më saktë poeten laureate. Çfarë roli ka poeti laureat në atdheun tonë kur nuk ne nuk promovojmë poezi, nuk flasim për poezinë, kur poezinë në shkollë e kemi një detyrim kalimtar, analizojmë sipas rregullave të ngurta pa asnjë lloj reflektimi, sa edhe Bualoja do na përcillte syshqyer se si mund ta tejkalonim dhe vetë atë në moralizimin e artit poetik, po kuptohet në kahun e kundërt të pikëpamjeve të Bualosë?! Çfarë roli ka poeti laureat kur vendi nuk ka as promovime, as fonde përkthimi për poezinë shqipe? Çfarë roli ka poeti laureat në një vend ku artistët tanë janë shumë të gatshëm të jenë versificator regis – vargëzues i mbretit, dhe ku historikisht në piedestal kemi vetëm versificator regis?! Ku do e shpërfaqi rolin dhe misionin e përhapjes së poezisë novus versificator (regis) iurotarum – poetja e re jurisë, poetja laureate kur vendi nuk ka një mekanizëm kombëtar për vlerësimin e zhanrit te poezisë?! Jo se kemi për të tjera, po bëjmë sikur! Jam kurioze të di: a do ta kritikojë vendimin për të hequr zhanrin e poezisë nga platforma e kombëtare e konkurrimit letrar dhe do të avokojë me kurajo per rikthimin e saj dhe në një formë të re të fuqishme?! A do të avokojë për fonde për poezinë: përkthime, botime, antologji, festivale të leximit të poezisë poetja jonë laureate? A do të avokojë për njohjen e poetëve shqiptarë dhe leximin e tyre përtej leximit të poetëve të mbretërve me pushtet politik dhe kolltukofagëve institucionalë?! Ku do të lexojë e promovojë poezi poetja laureate: në Kryeministri, në Bllok, te Bunkeri, te Shtëpia me gjethe, në salla hotelesh e bujtinash apo në qoshet harruara të atdheut modern në teknologji si imago mundi i Kryeministrit tone të paimagjinueshëm Skënderbe? Te shkollat që mbyllen çdo ditë nga shterimi popullatës, te tempujt kulturore që priten të shemben dhe ato që mbeten mbyllur deri kur vjen koha e zgjedhjeve për te mbushur sallat me militantë, te hapësirat publike që shqyhen nga pushteti, oligarkët, dhe çdo Haxhi Qamil i atij vendi? A do të avokojë për fonde për financimin e shtypit periodik kulturor brenda dhe jashtë atdheut, ku poezia të ketë hapësirën e saj? Këto dhe shumë pyetje të tjera duhet t’i shtrohen poetes laureate, se jurisë nuk ia shtrojmë dot. Juritë nuk janë të përgjegjshme! Nuk ka pritshmeri ndaj tyre as per tronditje emocionale, as për provokim poetik apo intelektual. Më e mira që mund të bëjnë apo ofrojnë janë gjykime sipas rregullave estetike w meritokratike
dhe që jorrallëherë dështojnë të bëjnë, në të vetmen detyrë që kanë. Deri më sot poetja e zgjedhur laureate na ka ofruar një tronditje (shok) emocionale, mjaftueshmërisht si kurajo poetike apo si mediokritet, në këtë çështje audienca mbetet e ndarë. Si poete laureate duhet të na provokojë poetikisht, pra intelektualisht si një ngjizje e natyrshme sociale. Natyrisht nuk presim te kemi nje ‘poet laureat si ‘legjislator’ siç e perkufizonte Shelley poetin, po as nuk mund te mos kërkojmë që motivacioni i titullit poet laureat të mos përkojë askund, dhe të mbetet një akt autonom provokimi emocional, i cili mbetet vlerë estetike po jo në përmasat e laureatit, sikurse nuk presim që poeti të vargëzojë “me porosi”, apo të prodhojë me partishmëri. Një pritje e arsyeshme në reflektim të motivacionit për titullin laureat, dhe në linjë të natyrshme logjike të veprës poetike të poetes për zhbërjen e normave dhe tabuve (ashtu sikurse e prezantojnë, analizojnë dhe prezantohet dhe vetë poetja!), do të ishte kontributi provokativ poetik që jo vetëm na shokon, por na bashkon si qenie njerëzore, të paktën si reflektim dhe në empati! Po më këtë linjë logjike do të ishte mirë që poetja laureate të edukonte dhe anëtarët e jurive, që sinqeriteti, qartësia, guximi për t’u shprehur, gjykimet e formulimet për çmime në art duhet dhënë për çfarë artistët kanë krijuar. Në se artisti krijon për “vrimën” të ketë guximin edhe të mos e pranojë çmimin nga juri që janë jo të gatshme dhe të papërgatitura apo edhe të paafta për arsyetuar dhënien e çmimeve për “vrimën” dhe duke u fshehur vrimave arsyetuese”norma e moral tabu” apo për ndarje çmimesh për “editorinë e bukur”! Në artin e vërtetë, për artin e vërtetë nuk mund të fshihemi skutave e vrimave; “poezia na lejon te prekim të pakapshmen dhe të dëgjojmë baticën e heshtjes që mbulon një peizazh të shkatërruar nga pagjumësia.” O.Paz.
Rruga Press

