Po sikur të mos jetonim në demokraci?
Nga Lutfi Dervishi
Sa mirë që jetojmë në demokraci! Kjo fjali mbase nuk ka shumë kuptim për brezin e ri, por imagjino për një moment sikur të mos jetonim në këtë kohë pluraliste.
Televizionet kryesore do të jepnin vetëm lajme pozitive për qeverinë dhe negative për opozitën. Madje, aq shumë do të fajësohej opozita sa njerëzit ashtu pa kuptuar do të arrinin në përfundimin se opozita nuk po qeveris mirë vendin.
Gazetarët nuk do të kishin mundësi të raportonin për skandale të qeverisë sepse lajmet do t’i vinin të gatshme nga vetë qeveria përmes një rrjeti të mire koordinuar propagandistik.
Po të mos jetonim në demokraci do të detyroheshim ta hanim sapunin për djathë duke na i bërë si racion të përjavshëm dhe të përditshëm sipas oreksit të tyre.
Nëse nuk do të jetonim në demokraci, do të kishim një situatë ku populli do t’i këndonte këngë liderit për të mirat dhe begatitë që po gëzon: “Lum si ne dhe lum si ti, ne jetojmë demokraci!
Po të mos jetonim në këtë kohë nuk do mund të shijonim si qytetarë të lirë rrjetet sociale, por do të detyroheshim të shihnim, ndanim, komentonin dhe bënim like çdo marrëzie në Facebook, Instagram apo TikTok, të liderit dhe personave që ka zgjedhur ai.
Madje, ashtu pa e kuptuar do të nxitonim të shkruanim: Bravo, super, gjigand, mbret, hero, trim, lum në që të kemi, etj, etj.
Aq më keq, mbase mund të na ngjitnin ndonjë epitet duke na quajtur patronazhistë me pagesë dhe pa pagesë.
Po të mos jetonim në demokraci, zgjedhjet nuk do të ishin një garë idesh, alternativash dhe platformash, ku pozita dhe opozita garojnë në kushte të barabarta loje, siç po ndodh sot, por do të kishim një situatë të pa imagjinueshme, ku qeveria, gjykatat, institucionet të pavarura, do të bënin çmos të pengonin opozitën për të marrë pjesë në zgjedhje qoftë edhe formalisht.
Po të mos ishim demokraci, zgjedhjet do të bëheshin vetëm për të konfirmuar liderin në detyrë dhe për të ndëshkuar ca të çmendur që u shkon mendja të organizohen në parti me synim “rrëzimin e pushtetit”.
Po të mos jetonim në demokraci, Parlamenti nuk do të ishte një vend me njerëz plot personalitet ku gatuhen ligje, kontrollohet qeveria dhe nga ku burojnë institucionet e pavaruara, por ky institucion bazë i demokracisë do të ishte thjesht një arenë llogjesh ku deputetë pa integritet kthehen në noterë të qeverisë që qeshin e qajnë sipas humorit të liderit. Kemi parë nëpër dokumentarë sesi në vendet ku mungon demokracia një tufë pazarxhinjsh me kollare flasin jo atë që mendojnë por atë që u thuhet nga “lideri” i turmës parlamentare.
Po të mos jetonim në demokraci, do të kishim përdorim arbitrar të pushteti nga një njeri që nuk i përgjigjet askujt, do të kishim një situatë të paimagjinueshme me kapriçot e një njeriu që do të bënte çfarëdo që do t’i shkonte në mendje pa i shkuar kurrë mendja për ligjin, rregullin, procesin e rregullt gjyqësor dhe opinionin publik.
Po të mos jetonim në demokraci, nuk do të shijonim të mirat e kapitalizmit ku çmimet në treg i përcakton raporti kërkesë – ofertë, por do të kishim një situatë ku çmimet do të përcaktoheshin nga bordet që i cakton qeveria.
Po të mos jetonim në demokraci ku sundon shteti i së drejtës, fenomene të padëgjuara si korrupsioni apo nepotizmi do të shfaqeshin mes nesh për të mbytur konkurrencën e lirë dhe do të shkurajonin investitorët vendas e të huaj.
Po të mos jetonim në demokraci, çdo gjë do të ishte përmbys. Në demokraci sa më e madhe të jetë oferta aq më shumë ulet çmimi, po të mos vepronte ky “ligj”i tregut, e imagjinoni dot të blini një shtëpi me 3000 apo 4000 euro metra katrorë?
Po të mos jetonim në demokraci, ekonomia do të kontrollohej nga një gusht njerëzish që quhen oligarkë, që pasurohen jo se janë të mençur dhe kanë ide novatore, por për shkak se i kanë duart aq të gjata sa i fusin direkt në fondet publike.
Po të mos jetonim në demokraci, njerëzit do të largoheshin në masë nga Shqipëria në kërkim të vendeve demokratike ku ka ekonomi tregu, media të lirë, gjyqësor të pavarur, shoqëri civile të gjallë, e institucione të forta.
Po të mos ishim në demokraci, gjysma e shqiptarëve do të kishin ikur me natë nga ky vend.
Sa me fat jemi që jetojmë në demokraci! O sa me fat për besë!…
Rruga Press