Plisi, simboli i kërkuar në festën e nëntorit
Dora e njeriut është e 27-a në radhën e punimeve në të cilën kalon plisi që nga lënda e parë deri në produktin final.
Përmes një makine të veçant bëhet hprishja e leshit, që nevojitet për krijimin e simbolit kombëtar.
Ergyle Gjurgjialo këtë punë e bën prejse është martuar në këtë familje e kështu po e vazhdon traditën e familjes së burrit.
Gjurgjialo thotë se si një nuse e re ishte mjaft e vështirë të punonte, por me gjithë paragjykimet ajo ia doli e vazhdon të punojë për 35 vjet me radhë.
E meqë punës po i rrinë gati ende, artizania shpreh dëshpërim për rininë. Ajo thotë se si një simbol i veçantë që është nuk e ka vëmendjen që duhet.
Ajo dhe bashkëshorti i saj përbëjnë gjeneratën e tretë që merren me këtë zeje, e ndërkohë edhe fëmijët i kanë të angazhuar në punëtori.
Pajisjet i kanë të vjetra e madje ka edhe prej tyre që janë 120-vjeçare.
Orët e qëndrimit në punëtori janë të panumërta, krejt kjo sepse ka mungesë punëtorësh.
Ndonëse i vogël për nga madhësia, zeja e punimit të plisit është më e rëndë ngaqë duket.
Gjurgjialo numëron e i përshkruan fazat duke filluar nga shprishja e lëndës së parë, formësimi, shtypja e deri tek hekurosja e plisit.
Lënda e parë merret nga bagëtitë e, sipas artizanes, fatmirësisht në Kosovë e kemi të zhvilluar një fushë të tillë.
Megjithatë, kualiteti i dobët është arsyeja pse lënda e parë importohet nga Australia.
Punë e madhe e vështirësi të shumta. Mirëpo, duke qenë se edhe vetë është vajzë e një familjeje ku plisi ka qenë pjesë e veshjes, ajo e vazhdon punën me zell.
“Luftë pa pushkë”, kështu i konsideron pandeminë e dëmin që ka shkaktuar ajo, duke filluar që nga dëmtimi i lëndës së parë.
Me gjithë kritikat që ka për të rinjtë, ajo vlerëson se tradita po ruhet ende në disa familje shqiptare, por edhe përmes festivaleve.
Familja Gjurgjialo ka bërë një gërshetim të tradicionales e modernes, ku krahas plisit kanë filluar të punojnë edhe kapele e punime interesante./Koha.net/