Bota

Plani izraelit shokon BE, “kamp përqendrimi” për palestinezët në detin përballë Gazës

Izraeli ka shokuar ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian. Shkak për këtë është një propozim që ka ardhur nga shefi i diplomacisë së shtetit hebre, Izrael Katz, në takimin e rëndësishëm në Bruksel për paqen në Lindjen e Mesme.

Ministrat e Jashtëm të BE-së u tronditën kur në monitor iu shfaq një video që tregonte planin për ndërtimin e një ishulli artificial në Gaza. Sipas planit të Izraelit, të gjithë palestinezët e enklavës mund të zhvendosen për në atë që po konsiderohet gjerësisht si “një kamp përqendrimi”.

Lexo më shumë  Gjermania akuzon Rusinë për dezinformimin dhe sulmin kibernetik të vitit 2024

“Duhej ta kishte shfrytëzuar më mirë kohën në dispozicion”, tha pas takimi shefi i BE-së për politikën e jashtme, Josep Borrell, duke e shfaqur publikisht zemëratën e tij.

“Ministri izraelit na prezantoi planet e tij për ishullin artificial në brigjet e Gazës dhe për një lidhje hekurudhore me Indinë. Ai duhej të fokusohej në sigurinë dhe në shpjegimin e numrit të lartë të vrasjeve në Gaza”, nënvizoi më tej Borrell.

Katz e ka promovuar edhe më herët planin e tij, kur ushtronte detyrën e ministrit të transporteve në vitin 2017, si një lokacion alternativ për palestinezët e Gazës, madje duke kërkuar që komuniteti ndërkombëtar të paguante për ndërtimin e ishullit artificial, që do të kontrollohej nga Izraeli.

Kjo vjen mes zemërimit gjithnjë e në rritje me administratën e Benjamin Netanjahut nga aleatët e afërt. Gjatë fundjavës, kryeministri refuzoi zgjidhjen me dy shtete, në një sfidë të hapur ndaj kërkesës së presidentit amerikan, Joe Biden.

Rruga Press

YouTube player