Plani i qeverisë për subvencionet e naftës, bujqit gjermanë në protestë: Pa ne s’ka ushqim
Java e dytë e këtij fillim viti ka nisur me një valë të re protestash nga bujqit në Gjermani. Fermerët kanë bllokuar rrugët kryesore me traktor këtë të hënë për të kundërshtuar planet e Qeverisë për ndaljen graduale të subvencioneve të bujqësisë.
Bujqit kanë sfiduar edhe temperaturat e ulëta në Gjermani që aktualisht janë minus zero. Në pankartat dhe thirrjet e tyre fermerët theksojnë se pa ta nuk ka as ushqim e as të ardhme.
“Pa bujq nuk ka ushqim, e as të ardhme.”- thanë ata.
Në Berlin, dhjetëra traktorë të vendosur në rresht pamundësuan hyrjen në rrugën që dërgon drejt portës Brandenburg. Policia tha se u bllokuan rrugët dhe hyrjet në autostrada në shumë pjesë të Gjermanisë, duke shkaktuar trafik të rënduar gjatë mëngjesit.
Bujqit janë zotuar se do ta bllokojnë akset kryesre dhe rrugët logjistike për një javë, duke thënë se heqja e lehtësimeve tatimore do t’i detyrojë bujqit ta braktisin punën e tyre.
Joachim Rukëied, kryetar i Shoqatës së Bujqve të Gjermanisë (DBV), u kërkoi qytetarëve mbështetje.
“Ne nuk duam ta humbim përkrahjen dhe solidaritetin që e kemi marrë nga një pjesë e madhe e popullit. Por, ne nuk do ta pranojmë rritjen e planifikuar të tatimit për sektorin e bujqësisë”, tha ai për revistën Stern të hënën.
Kritikat e bujqve e nxitën javën e kaluar koalicionin e kancelarit Olaf Scholz – i cili është për ngut ta finalizojë draftin për buxhetin e vitit 2024 pasi ishte vonuar nga një vendim gjykate – të bëjë ndryshime të papritura, përfshirë ndryshimin e planeve për heqjen e subvencioneve për bujqësinë.
Rritet papunësia në Gjermani
Në vend se t’i japë fund papritmas uljes tatimore për naftën e përdorur në bujqësi, Qeveria planifikon që subvencionet të ulën për 40% këtë vit, për 30% më 2025, dhe do të hiqen plotësisht më 2026.
Qeveria gjithashtu hoqi dorë nga planet për t’i dhënë fund trajtimit të privilegjuar për tatimet në automjete për bujqësinë dhe pylltarinë.
Por, DBV-ja tha se këto ndryshime nuk mjaftojnë dhe se protestat do të mbahen përgjatë gjithë javës.
Rruga Press