KryesoreLajme

PL: Faktet që e vulosin projektin e Portit të Durrësit si aferë mafioze korruptive

Partia e Lirisë deklaroi sot se projekti i Portit të Durrësit nuk është një investim strategjik, por një aferë tipike mafioze kundër interesave kombëtare, një çmenduri tjetër rilindase, që ka përcaktorë vetëm makutërinë, babëzinë, pastrimin e parave, mungesën e plotë të transparencës dhe shkatërrimin e interesit publik.

Sekretari i përgjithshëm Tedi Blushi tha para mediave se “është tashmë e provuar, që afera e Portit të Durrësit është një krim i shumëfishtë ekonomik me pasoja të rënda dhe të gjithëanshme, ku përgjegjësi i vetëm është Kryeministri Edi Rama.”

“Premtimi i tij i parë me zë dhe me figurë se “nuk do të nxjerrë asnjë kokërr leku nga buxheti i shtetit”, për Portin e Durrësit, rezultoi në fakt një mashtrim i madh, i pabesë dhe mafioz, si të gjitha premtimet e tjera të “Rilindjes”, – vërejti Blushi dhe shtoi:

“Ndërkohë nga zero lekë financim nga Buxheti i Shtetit, Kryeministri Edi Rama kaloi në një tjetër premtim, investimin e 390 milion euro me PPP, ku 46% e vlerës së investimit do ta kontribuonte Qeveria e Shqipërisë apo Autoriteti Portual i Durrësit dhe 54% do të ishte kontribut i kompanisë që do të fitonte garën ndërkombëtare.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Edhe ky premtim rezultoi një mashtrim mafioz, pasi aktualisht Qeveria ka planifikuar të shpenzojë për Portin e Durrësit rreth 430 milion euro nga Buxheti i Shtetit, financim që do të mbulohet 100% nga taksapaguesit shqiptarë.

Pra nga premtimi për “zero investim nga Buxheti i Shtetit”, u pretendua investimi me skemën PPP në 390 milion euro, dhe së fundmi në investimin direkt nga Buxheti i Shtetit të 430 milion euro.

Sigurisht që vlera përfundimtare do të jetë shumë herë më e madhe dhe parashikohet të kapë shifrën marramendëse të rreth 1 miliard euro.

Shpenzimet për ndërtimin e portit të ri ishin destinuar fillimisht në buxhet si financim i huaj, por duke qënë se as NATO dhe asnjë bankë nuk e konsideroi projektin fizibël, paratë po jepen nga buxheti.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Sot Qeveria fal 300 milion euro taksa dhe asete, jep 415 milion euro për të ndërtuar portin në Porto Romano dhe në fund të 20 vjetëve përfiton 282 milion euro.

Pra deri tani humbja ka shkuar rreth 430 milion euro.

Qartazi, asnjë përfitim ekonomik për shtetin dhe shqiptarët, përkundrazi një katastrofë ekonomike dhe plaçkitje flagrante e taksave të tyre.

Partia e Lirisë i bën thirrje SPAK të reagojë dhe të mos mbyllë sytë para këtyre fakteve në dritë të diellit, që provojnë se afera e Portit të Durrësit, nuk është gjë tjetër vetëm vjedhje dhe korrupsion i pastër.

SPAK duhet të veprojë pa vonesë dhe të mos presë urdhërat politikë për nisjen e hetimeve, ose të pranojnë se janë një seksion i “Rilindjes” dhe përgjegjëse po sa ajo për korrupsionin galopant dhe lidhjet e krimit me Qeverinë.”

YouTube player