Kuriozitete

Pigmenët, vendasit më të vjetër të Afrikës të detyruar të jetojnë pa identitet në Kamerun

Pigmenët të cilët janë nxjerrë me forcë nga pyjet ku jetuan për rreth 5 mijë vjet në Kamerun, po lihen të detyruar që të jetojnë pa identitet nëpër qytete.

Pyjet e shiut ku jetojnë Pigmenët, vendasit më të vjetër të Afrikës, po shterohen me shpejtësi për shkak të prodhimit të lëndës drusore e minierave dhe pigmenët janë të detyruar që të jetojnë në anë të rrugëve në afërsi të pyjeve.

Gjithashtu nëpër qytete përpiqen të vazhdojnë jetën edhe disa nga mijëra pigmenët baka që janë larguar me forcë nga pyjet e shiut ku ata janë marrë me gjueti prej rreth 5 mijë vitesh në rajonin Nomedjo, në afërsi të kufirit me Kongon, në jug të Kamerunit.

Venant Messe, koordinatori i shoqatës OKANI që mbron të drejtat e vendasve që jetojnë në pyjet e Kamerunit, tha se 8 nga çdo 10 fëmijë nuk kanë certifikatë lindjeje dhe se rreth 75 për qind e pigmenëve nuk kanë kartë identiteti.

Messe theksoi se pigmenët nuk kanë mundësi për të shkuar në gjendjet civile në qytet për të aplikuar për kartë identiteti, se kostoja e kartës është rreth 120 dollarë dhe se ata nuk mund ta paguajnë këtë kosto.

“Pigmenët fizikisht ekzistojnë, ndërsa zyrtarisht jo”, deklaroi Messe duke u shprehur se shumica e lindjeve kryhen në pyje ku nuk ka mundësi regjistrimi.

Pigmenia Baka Elenga e cila është nxjerrë me forcë nga pyjet e shiut ku ka kaluar gjithë jetën në kufirin Kamerun-Kongo, tha se “Edhe unë dua kartë identiteti. Ndalohem në çdo vend nga xhandarmëria për shkak se jam pa kartë identiteti”.

Pigmenëve nuk u pëlqen të komunikojnë me të huajt dhe të fotografohen dhe preferojnë një mënyrë jetese të ndryshme nga popujt e vendosur në kontinentin afrikan.

Ata ende jetojnë si njerëzit e epokave të lashta dhe pjesën më të madhe të kohës e kalojnë duke gjuajtur thellë në pyje dhe duke mbledhur fruta e barëra.

Pigmenët nuk përdorin para, por shkëmbejnë produktet që ata gjuajnë.

Gjithashtu Pigmenët ndryshojnë shpesh vendet për të gjetur pretë e tyre dhe bëjnë shigjeta e shtiza nga druri dhe guri si dhe përdorin hanxharë për të vrarë majmunë, antilopa, gazela dhe elefantë. /AA

Rruga Press

YouTube player