“Pfizeri” fillon testimin e një ilaçi oral për parandalimin e COVID-19
Kompania farmaceutike ka bërë të ditur se do ta testojë ilaçin, PF-07321332, në mesin e 2,660 pjesëmarrësve të rritur, të moshave prej 18 e më shumë vjeçare, të cilët jetojnë në të njëjtën amvisëri me një individ që ka infektim të konfirmuar simptomatik me COVID-19
Kompania farmaceutike “Pfizer” ka bërë të ditur të hënën se ka filluar një studim të ri për testimin e një ilaçi të ri hulumtues oral për parandalimin e infektimit nga koronavirusi midis atyre që veçse i ishin ekspozuar sëmundjes COVID-19.
Gjiganti farmaceutik dhe rivalët e tij, përfshirë atë me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës “Merck & Co Inc” dhe zvicerania “Roche Holding AG”, kanë qenë në garë për zhvillimin e pilulës së parë antivirale për COVID-19, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.
“Pfizeri” ka njoftuar se do ta testojë ilaçin, PF-07321332, në mesin e 2,660 pjesëmarrësve të rritur, të moshave 18 dhe më shumë vjeçare, të cilët jetojnë në të njëjtën amvisëri me një individ që ka infektim të konfirmuar simptomatik me COVID-19.
“Studimi do të testojë ilaçin PF-07321332 me një dozë të ulët të ritonavirit, një bar ky i kahershëm që ishte përdorur gjithandej në kombinim me trajtimet për infektimin me HIV”, ka njoftuar kompania, sipas Reutersit.
“Merck” dhe partneri i tij “Ridgeback Biotherapeutics” kanë njoftuar në fillim të këtij muaji se do të fillojnë që t’ua japin pacientëve ilaçin e tyre eksperimental molnupiravir si një kurë për parandalimin e sëmundjes COVID-19.
Kompania ka njoftuar më herët gjatë këtij muaji se tanimë veç i ka filluar testimet në fazë të mesme dhe më të shtyrë për PF-07321332 si trajtim për COVID-19 mes pacientëve simptomatikë dhe atyre që nuk janë shtrirë në spital, ka raportuar Reutersi.
Rruga Press