“Pfizer” pritet të marrë miratimin e plotë deri në shtator
Sipas gazetës The New York Times, Agjencia Amerikane e Barnave dhe Ushqimit (FDA) po synon të japë miratimin e plotë të vaksinës COVID-19 të kompanisë Pfizer deri në fillim të shtatorit.
Vaksina me dy doza, të cilën Pfizer e krijoi në bashkëpunim me kompaninë gjermane BioNTech, aktualisht është e miratuar për përdorimit emergjent që në nëntorin e kaluar.
Ajo është një nga tre vaksinat e COVID-19 të autorizuara në Shtetet e Bashkuara, së bashku me vaksinën me dy doza nga Moderna dhe versionin me një dozë të prodhuar nga Johnson & Johnson.
Gazeta thotë se FDA-ja po përshpejton afatin e saj të zakonshëm për të dhënë miratimin e plotë për vaksinën, pasi Shtetet e Bashkuara po goditen nga një valë e re e infeksioneve dhe shtrimeve në spital të shkaktuara kryesisht nga varianti Delta, përcjell voa.
Rritja e fundit e infeksioneve të reja është kryesisht tek njerëzit që nuk janë vaksinuar. Gazeta citon sondazhet e fundit nga Fondacioni “Kaiser Family”, një grup kërkimor i kujdesit shëndetësor, sipas të cilit tre nga çdo 10 persona të pavaksinuar në Shtetet e Bashkuara thonë se do ta merrnin vaksinën nëse ajo do të ishte miratuar plotësisht.
Shtimi i rasteve me COVID-19 ka nxitur një numër në rritje të subjekteve publike dhe private që të kërkojnë vaksinime të detyrueshme për të gjithë punonjësit e tyre, përfshirë një urdhër të lëshuar javën e kaluar nga Presidenti amerikan Joe Biden për të gjithë punonjësit e qeverisë federale.
Kompania Pfizer aplikoi për të marrë autorizim të plotë të vaksinës kundër COVID-19 më 7 maj, ndërsa Moderna më 1 qershor. Kompania Johnson & Johnson tha se planifikon të aplikojë për të marrë miratim të plotë më vonë këtë vit.