Petrini është gruaja e parë e emëruar nga Papa si Sekretare të Përgjithshme e Vatikanit
Papa Françesku ka emëruar motrën Raffaella Petrini, si Sekretare të Përgjithshme të Guvernatorit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit. Ajo bëhet gruaja e parë që mban këtë post.
VATIKAN– Papa Françesku ka emëruar motrën Raffaella Petrini, anëtare e Motrave Françeskane të Eukaristisë, si Sekretare të Përgjithshme të Guvernatorit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit. Që nga viti 2005 ajo ka shërbyer si zyrtare në Kongregacionin për Ungjillizimin e Popujve. E lindur në Romë më 15 janar 1969, ajo ka një diplomë në shkenca politike nga Libera Università Internazionale degli Studi Sociali Guido Carli (LUISS) dhe një doktoraturë nga Universiteti Papnor i Shën Thomas Aquinas (Angelicum), ku aktualisht është një profesore.
Petrini, 52 vjeç, e cila do të jetë përgjegjëse për mbikëqyrjen e operacioneve administrative, duke përfshirë muzetë e Vatikanit, postën dhe policinë, bëhet gruaja më e lartë në shtetin më të vogël në botë. Gazeta në internet National Catholic Reporter tha se roli tradicionalisht mbahet nga një peshkop. Papa Françesku, 84 vjeç, ka thënë vazhdimisht se dëshiron që gratë të luajnë një rol më të madh në Kishën Katolike Romake. Në janar ai ndryshoi ligjin për t’i lejuar ato të shërbenin si lexuese në liturgji, shërbyese të altarit dhe shpërndarëse të kungimit, por nuk tha se ndryshimi një ditë mund të hapte derën për priftëreshat.
Në shkurt ai theu traditën katolike për të emëruar një grua si nënsekretare të sinodit të peshkopëve, e para që mbante postin me të drejtë vote në një organ që studion çështjet kryesore të doktrinës.
Burimi: Vatikan News

