Petkoviq ngatërron vlerat e BE-së me ato të Rusisë së Putinit
Aksioni i Policisë së Kosovës nëpër disa qytete të ndryshme, përfshirë edhe veriun e Mitrovicës, kundër krimit fiskal, mallrave ilegalë dhe krimit të organizuar vazhdon të interpretohet nga zyrtarët serbë si sulm kundër popullatës serbe dhe jo si sulm ndaj krimit apo kriminelëve, siç ishte në realitet.
Krimi nuk ka etni apo komb, por për zyrtarin serb Petar Petkoviq, krimi nuk është i tillë kur ai kryhet nga një serb, e sidomos nga ata që kontrollohen dhe paguhen nga qeveria serbe, në krye të të cilës rri presidenti Aleksandar Vuqiç, pavarësisht se Serbia është republikë parlamentare, e udhëhequr në ekzekutiv nga kryeministri.
Petkoviq u shpreh i kënaqur me qëndrimin e Josiph Borrel, kur ky i fundit u shpreh se ai aksion ishte i njëanshëm dhe pa kordinim. Nga ana tjetër, Petkoviq u shpreh i revoltuar me qëndrimin e Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
“Ka një problem me krimin e organizuar, me korrupsionin dhe kontrabandën, dhe autoritetet e Kosovës vendosin se kur dhe ku do të përdorin forcën policore”, u shpreh von Cramon.
Ky qëndrim i zonjës Cramon për zyrtarin e Vuqiçit bie ndesh me vlerat evropiane të Bashkimit Evropian.
Ka të ngjarë që Petkoviq t’i ketë ngatërruar vlerat e BE-së me vlerat që promovon çdo ditë aleati i shtetit serb,presidenti rus Vladimir Putin. Kur ai ka dilema nëse është krim korrupsioni, kontrabanda e mallërave, drogës dhe armëve, bandat që përmes dhunës e presionit mbajnë nën kontroll lagje dhe qytete të tërë, me siguri që duhet të ketë parasysh një shtet autoritar si Rusia, e ndoshta, atë që aspiron klasa politike serbe për veten dhe fqinjët e tyre.
©Rruga Press

