Përurohet libri i ilirologut, Stipçeviç: “Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës”
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Instituti Albanologjik – Prishtinë dhe Akademia e Studimeve Albanologjike – Tiranë, vazhdojnë realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në kuadër të strategjisë së re për zhvillimin e shkencave albanologjike. Tri qendrat albanologjike, përuruan librin e fundit të ilirologut të njohur Aleksandar Stipçeviç “Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës”.
Në vitin 2011, akademik Stipçeviç botoi veprën monumentale “Tradicijska kultura zadarskih Arbanasa”, një kontribut i madh shkencor për arbëreshët e Zarës së Kroacisë. Libri u përkthye nga kroatishtja në gjuhën shqipe nga Sadri Fetiu, dhe u botua në vitin 2012 nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Ky botim zgjoi interesimin e madh të lexuesve dhe të studiuesve të shumë qendrave shkencore, dhe si rezultat i këtij interesimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, libri u promovua edhe në Shkup.
Në fjalën përshëndetëse, Skender Asani, drejtor i ITShKSh – Shkup, foli për konkretizimin e bashkëpunimit ndërmjet tre instituteve, por edhe për rëndësinë e prezantimit në Shkup të kësaj vepre të ilirologut të njohur Stipçeviç, i cili ka dhënë kontribut të çmuar në ruajtjen e gjurmëve të qytetërimit iliro-arbëror të Shkupit.Manifestimin e përshëndeti drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ylber Sela.Prof.Luan Përzhita, arkeolog dhe studiues, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike – Tiranë, referoi mbi temën: “Monumente iliro-arbërore nga vendlindja e Stipçeviçit (në rajonin Krajë-Tivar)”.Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, në këtë rast botues, por edhe studiues, ligjëroi mbi temën: “Modeli stipqeviçian i studimit të trashëgimisë sonë”.Në fund, Zeqirja Neziri, studiues dhe profesor shumëvjeçar i letërsisë në Universitetin e Shkupit, bashkëpunëtor i ilirologut Stipqeviç, foli për veprimtarinë e gjatë studimore të akademik Stipqeviçit, dhe në veçanti për librin “Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës”.
Rruga Press