Përtej mureve të gurit – fotografja e jetës në fshatin shqiptar
Libri “Jeta në fshatin shqiptar: Isniq-Kosovë 1976” është një testament i një kohe kur shqiptarët e Kosovës kishin autonominë e vitit 1974 dhe po përvetësonin praktika të reja të modernitetit të ardhur përmes komunizmit jugosllav. Ann C. Eek-u dokumenton me fjalë e fotografi jetën në prag të transformimeve që do të ndodhin në Kosovë
Në vitet ‘60, kur anglezja Mary Motesi kishte ardhur në Kosovë për të ligjëruar gjuhën angleze, një mësuese serbe e anglishtes në Prishtinë, i kishte thënë se nuk ka shqiptarë në Kosovë, por ka vetëm “šiptari” (lexo: shiptari), që në vetëdijen serbe, të konstruktuar nga propaganda e akademisë serbe, janë serbë të islamizuar që flasin gjuhën shqipe, sepse në Kosovë s’ka shqiptarë. Për përvojën e saj me Kosovën, shkruan librin “Prelud i luftës” tek në fund të viteve ’90, pas mbarimit të luftës. Së fundi, edhe një ligjërues tjetër anglez në Universitetin e Prishtinës, John Hodgson, botoi librin “E ardhmja në të kaluarën: kujtime të Kosovës” (2021) me kujtimet e tij të Kosovës së fillimit të viteve ’80, duke na rrëfyer për përjetimet e tij në Kosovë, në prag të një periudhe të errët që po vinte për shqiptarët e Kosovës.
Në periudhën e regjimit komunist jugosllav, Kosova ishte pothuajse e izoluar deri në vitet ’70, kur u bënë ndryshimet kushtetuese. Gjatë asaj periudhe, e cila njihet si “koha e Rankoviqit”, sipas ministrit të Brendshëm serb, Aleksander Rankoviqit, mbretëroi dhuna brutale ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Një imazh fals për shqiptarët e Kosovës
Krahas dhunës, mbretëronte edhe një imazh fals për shqiptarët e Kosovës, të cilin akademikët serbë ia paraqisnin vetes, të tjerëve në ish-Jugosllavi dhe botës anembanë.
Përderisa antropologët perëndimorë vinin si mysafirë në Jugosllavinë socialiste, një vend kufitar mes Lindjes së kontrolluar nga ideologjia komuniste ruse dhe Perëndimit liberal kapitalist, i njohur nëpër njëfarë neutraliteti titist, Kosova nuk ekzistonte në ditarët e tyre. Antropologia e parë që ia doli të hynte në terren të Kosovës për të vrojtuar e studiuar, ishte norvegjezja Berit Backer, e cila duke qenë e bindur për idetë socialiste, kishte dashur të studionte Shqipërinë komuniste, si një shembull ku “lulëzonte” utopia e marksizmit, një gjendje kjo mjaft e mirëpritur nga shumë intelektualë perëndimorë të kohës, shumica e të cilëve do të zhgënjehen më vonë.
Galeri e jashtëzakonshme
Pas saj, vijnë edhe antropologë të tjerë, si amerikania Janet Reineck dhe holandezi Ger Duijzings, të cilët vrojtojnë jetën sociale e kulturore në Kosovën autonome, para vitit 1989, kur merret autonomia dhe fillon represioni i Serbisë mbi shqiptarët. Në vitin 1979, Berit Backer-i shkroi dhe mbrojti tezën e saj të magjistraturës në antropologji sociale, në Universitetin e Oslos në Norvegji. Tema e saj ishte familja shqiptare në Kosovë, por vendi prej të cilit ajo kishte vjelë evidencat nga terreni ishte fshati Isniq, fshat ku ajo kishte qëndruar gjatë viteve 1974-1975. Gjatë qëndrimit të saj ajo kishte mësuar gjuhën shqipe dhe ishte njohur me botëkuptimet, doket e traditat e shqiptarëve. Tek në vitin 2003, teza e saj e magjistraturës u botua në libër, në gjuhën angleze, të titulluar “Prapa mureve të gurit: ndryshimi i organizimit të familjes në mesin e shqiptarëve në Jugosllavi”, por nuk është botuar në gjuhën shqipe. Berita do të kthehej në Kosovë edhe në vitin 1976, së bashku me shoqëruesen e saj, fotografen norvegjeze, Ann Christine Eek, e cila gjatë qëndrimit të saj me Beritën, bëri mijëra fotografi dokumentuese të jetës në fshatin Isniq e gjetiu në Kosovë, për të krijuar një galeri të jashtëzakonshme të fotografisë dokumentare të jetës shoqërore kosovare të viteve ’70.
Dokumentimi në vetën e parë
Në vjeshtën e këtij viti (2021) doli në botim libri i kujtimeve të Ann Christine Eek-ut, i ilustruar me fotografi të zgjedhura nga galeria e saj personale. Libri u botua në gjuhën angleze dhe në gjuhën shqipe, me përkthim të Avni Spahiut e në kujdesin redaktorial të Tahir Latifit. Libri titullohet “Jeta në fshatin shqiptar: Isniq-Kosovë 1976” dhe është botuar nga shtëpia botuese “Tira Books” në Suedi, në të dy gjuhët – në gjuhën angleze dhe në gjuhën shqipe.
Libri është shkruar në vetën e parë në formë të një monografie që rri mes memoarit, etnografisë dhe fotoreportazhit. Ann C. Eek-u nis rrëfimin e saj për mënyrën se si ka ardhur, jo zyrtarisht, bashkë me Beritën për të dokumentuar jetën në Kosovë, me fokus specifik në fshatin e Beritës, në Isniq. Shkrimi është plot dromca kujtimesh për individë e familje të shumta në fshatin Isniq, por edhe gjetiu. Ajo rrëfen se si hyri në jetën intime të disa familjeve të fshatit, si u mirëprit e çfarë arriti të dokumentojë, kryesisht përmes fotografisë. Kemi një sërë portretesh të burrave, grave, pleqve e fëmijëve të familjeve Osdautaj, Kukleci, Tahirsylaj, Tishukaj etj. Po ashtu, nuk mungojnë fotografitë dhe përshkrimet e punës, riteve të ndryshme, qëndrimit në bjeshkë, festës së zisë, ndarjes së familjes, kafshëve, vendbanimeve e praktikave të ndryshme dokesore. Disa nga fotografitë e fshatit “kulla-kulla” janë ndër dëshmitë kryesore të peizazhit kulturor kosovar që nuk është më, sepse shumica e këtyre kullave janë shkatërruar gjatë luftës së fundit.
Libri është një testament i një kohe kur shqiptarët e Kosovës kishin autonominë e vitit 1974 dhe po përvetësonin praktika të reja të modernitetit të ardhur përmes komunizmit jugosllav. Ann C. Eek-u dokumenton me fjalë e fotografi jetën në prag të transformimeve që do të ndodhin në Kosovë. Ajo dokumenton “sytë në televizor” në shtëpinë fshatare shqiptare të Kosovës, “djalin t’u punue me traktor të ri” në arat e Kosovës, “çikën tu kep me maqinë” në shtëpitë e Kosovës, “vajzat e veshura allafranga rrugës për në shkollë” në fshatin e Kosovës e kështu me radhë.
Për secilën familje “të saj” jepen dromca kujtimesh nga vitit i largët 1976, por edhe rrëfehet se çfarë ka ndodhur me ta gjatë këtyre pesë dekadave. Kur e lexon librin, sheh se Ann C. Eek-u nuk ka hequr dorë nga njohja me familjarët e shumtë të Isniqit, i ka përcjellë ata deri në ditët e sotme. Shumë prej pleqve kanë vdekur, ndërsa fëmijët e viteve ‘70 sot janë familjarë të moshuar, disa në Kosovë e disa në vende të tjera. Por të gjithë janë historifikuar në fotografinë e Eek-ut, ata rrinë të rinj në fototekën e saj personale, ashtu siç kanë qenë në vitet ’70, duke u bërë dëshmitarë të një kohe dinamike për ta, për fshatin e për vendin e tyre.
Kthimi në Kosovë pas luftës
Në kapitujt e fundit të librit flitet për kthimin e Eek-ut në Kosovë, pas luftës së viteve 1998-1999, por edhe për personalitetin e Beritës. Libri përfundon me një kapitull që jep një panoramë historike e Kosovës.
Në këta kapituj, siç theksuam edhe më lart, tregohet dedikimi i Eek-ut për të vazhduar të interesohet për personazhet e fotografive të saj të viteve 1976. Në këtë kapitull ajo rrëfen për kthimin e saj në Kosovë, për fatin e miqve të saj, që kishin kaluar një periudhë të tmerrshme gjatë persekutimit të viteve ’90 dhe luftës në fund të atyre viteve. Mjafton të lexohet kapitulli i 14-të ku flitet për Selim Kuklecin dhe familjen e tij.
Efekti i hulumtimit të antropologes Berit Backer-i në Isniq, është i pranishëm, si nëntekst, në gjithë monografinë. Madje, vjen edhe si citat, si parafrazim e si diskurs, që në disa raste, libri do të t‘ia dilte si edhe pa të. Por, në kapitullin për Beritën jepen informacione të shumta për jetën e saj, rebelimin në rini, punën e saj në Kosovë, në Shqipëri, një peripeci antropologjike prej viteve ‘70 deri në vitet ‘90. Eek-u rrëfen për dëshirën e Beritës për të njohur socializmin e Hoxhës, për zhgënjimin e saj me të, për vetëkritikën e saj për komunizmin si “parajsë”, për punën e saj si përkthyese me refugjatët shqiptarë në Norvegji, për lobimin e saj për të drejtat e shqiptarëve, për punën e saj në Shqipërinë postkomuniste, për fatin tragjik të saj e me radhë. Në vitin 1993, Berit Backer-i vritet nga një bashkëpunëtor i saj shqiptar, i cili më vonë shpallet edhe nga gjykata norvegjeze se kishte probleme mendore. Pa dyshim se vepra e Berit Backer-it është esenciale në antropologjinë e Kosovës, në veçanti, e antropologjinë shqiptare, në përgjithësi. Fatkeqësisht, ende nuk e kemi në duar veprën e saj të plotë, as në gjuhën angleze, as në gjuhën norvegjeze, as në atë shqipe. Kjo është një punë që duhet të bëhet – sa më parë, aq më mirë.
Kur e lexojmë në tërësi, lëngojmë ta kishim një memoar të rrjedhshëm, direkt nga përvoja e vrojtimi i Eek-ut, ndoshta pa citate nga veprat e të tjerëve. Ndërthurjet mes kujtimeve, reportazhit dhe etnografisë – që shkruhen si një kujtesë autentike e autorit – lexohen më me qejf, kur zëri i tij dëgjohet në solo, edhe pse i formësuar në dialog përvoje e leximi me të tjerët. Megjithatë, kjo është vetëm një dëshirë për një stil e qasje tjetër.
Ndërsa, nga ana tjetër, çfarë duket “e kopsitur” dhe që nuk rri në harmoni me pjesën tjetër të librit është kapitulli i fundit, i quajtur “shënime mbi historinë e shqiptarëve të Kosovës”, ku jepet një pamje kronologjike historike prej Neolitit deri te pavarësia e Kosovës. Po të ishte një libër në gjuhën norvegjeze, ku lexuesi nuk ka literaturë të mjaftueshme kontekstuale, ndoshta do të ishte ide e mirë të theksohet një lloj panorame e tillë (ndoshta edhe më e shkurtër) në fillim të librit. Por, libri është në gjuhën angleze dhe kemi një mori tekstesh historike, të shkurtra e të gjata, për historinë e Kosovës, disa prej të cilave autorja edhe i citon. Pra, paragjykojmë se teksti do të qëndronte më i rrumbullakuar si monografi, po të ishte pa këtë kapitull. Por, ky është vetëm një paragjykim yni.
Përtej kësaj që thamë më lart, ajo që duhet të nënvizohet është se me këtë libër, Ann Christine Eek-u, i ka dhënë librarisë kulturore e antropologjike një përmbledhje të përzgjedhur dokumentare, sidomos përmes metodologjisë vizuale, të jetës në Kosovën autonome socialiste, një temë kjo, mjaft e palëruar. Në fakt, përderisa në viset e tjera ish-komuniste kemi një sërë antropologësh e historianësh që merren me “jetën në socializëm”, edhe sot, për Kosovën, këtë boshllëk po e plotësojnë fotografët, ligjëruesit e vizitorët e asaj kohe, dashamirët e miqtë e vjetër të Kosovës, njerëzit si Ann Christine Eek. Në fakt, Eek-u vazhdon të bëjë fotografi të jetës së sotme në Kosovë, viziton Kosovën, promovon fotografitë e hershme në ekspozitë. Një fotografe aktive e Kosovës për pesë dekada.
Siç thuhet edhe në kopertinë të librit, është e vërtetë se fotografitë e Ann Christine Eek-ut, “të jetës së fshatit, të dëmtuar thellë nga lufta 1998-1999, janë bërë pjesë e historisë dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë së saj më 2008”. Me këtë libër, Ann C. Eek-u është bërë pjesë e librarisë së plejadës së miqve e kujtestarëve të denjë Kosovës./koha.net/
Rruga Press