Përsiatje mbi dënimin me vdekje
Ediatorial nga Ardit Cara
Që pas vrasjes makabre të Mateos 8 vjeçar në rrjete sociale dhe TV ka shpërthyer debati nëse duhet rikthyer ose jo dënimi me vdekje. Debati në rrjete sociale, për vetë natyren e këtyre platformave, karakterizohet, në masë te madhe prej brutalitetit të sugjerimeve mbi mënyrën e ekzekutimit të të pandehurit. Sugjerimet variojnë nga ekzekutimet klasike, varje, pushkatim, karrige elektrike etj… tek ato më grafike si djegie për së gjalli, rrjepje për së gjalli, t’i hidhet qenëve ose kafshëve të tjera që ta vrasin, prerje koke publike etj…
Seanca e përcaktimit të masës së sigurisë u shoqërua me protestë para gjykatës, ku turma e mbledhur aty, nën afekt emocional, hidhte ide për mënyren e ekzekutimit. Sigurisht ngjarja është aq tragjike sa ekseset emocionale të qytetarëve janë të kuptueshme, por kulmi i histerise ishte shfaqja para turmës e avokatit të të pandehurit, i cili njoftoi se nga ai moment hiqte dorë nga mbrojtja. Më tej në kundërshtim me çdo normë etiko-profesionale filloi të japë detaje të dëshmisë që i pandehuri kishte dhënë gjatë marrjes në pyetje në polici, gjë që është në shkelje të Nenit 14 Kodi etik i avokatit:
“Avokati duhet të ruaje konfidencialitetin e të gjithë informacionit të dhënë nga klienti i tij
ose të marrë prej tij, rreth këtij klienti ose të tjerëve, gjatë kryerjes së shërbimeve për
klientin.
Detyrimi për ruajtjen e konfidencialitetit nuk është i kufizuar në kohë.”
Në një shtet normal ku Dhoma e Avokatisë është funkionale për një shkelje te tillë hiqet liçenca për ushtrimin e profesionit.
Por le t’i kthehemi debatit kryesor.
Që në fillimet e shoqërive të organizuara, ose të pakten që kur fillojnë rekordet historike, e ndeshim dënimin me vdekje si një nga format e ndëshkimeve të cilat kishin si qëllim dekurajimin e veprimtarive kriminale. Në shoqërite fisnore ashtu si në shtetet e hershme dënimi me vdekje ishte një formë e hakmarrjes. Rastin e parë të kodifikuar në një sistem legjislativ e gjejmë në Kodin e Hamurabit. Edhe tekstet fetare si Torahu, Bibla, Kurani e përmbajnë si formë ndëshkimi për krime të ndryshme, që nga vrasja deri tek përmendja e emrit të perendisë.
Etimologjia e termit ndëshkim kapital vjen nga Roma antike, ku “caput” do të thotë kokë dhe ndëshkimi kapital ishte pikërisht prerja e kokës.
Disa nga ndëshkimet e regjistruara në kohët e hershme ishin mizore dhe makabre si prerja e kokes, therja, sharrimi, mbytja në ujë, varja, djegia në turrë të druve, rrjepja, futja në ujë të valuar, ngulja në hu etj, që më shumë se me drejtesinë duket se kanë patur synimin e kënaqjes së instiktit të hakmarrjes. Në Europën mesjetare konsiderohej e natyrshme që monarkia apo kleri të kishin të drejten mbi jetën e popullsive mbi të cilat qeverisnin. Përllogaritet që vetëm në mbretërimin e Henrit të VIII të jenë ekzekutuar rreth 72,000 persona.
Rastet e para të regjistruara të anulimit të dënimit me vdekje në antikitet vijnë nga lindja e largët. Në vitin 724 gjatë mbretërimit të perandorit Shomu ndalohet për disa vite në Japoni, por rikthehet përsëri. Ndalohet sërish nga viti 818 deri në vitin 1156. Në vitin 747 ndalohet për një periudhë 12-vjeçare edhe në Kinë. Kryesisht këto ndalesa vijnë si pasojë e filozofisë lindore dhe Shintoizmit.
Në Europë diskutimi mbi dënimin me vdekje është shumë më i vonë, kryesisht pas Mesjetës.
Në statutin e Poljicës, në Dalmacinë e sotme, në vitin 1440 e drejta për jetë sigurohet si e drejtë bazike.
Në vitin 1764 botohet libri ” Mbi krimet dhe ndëshkimet” i Çezare Bekaria(Cesare Beccaria) ku argumenton jo vetëm padrejtesinë, por edhe padobishmërinë dhe kotësinë e tortures dhe dënimit me vdekje, nga pikëpamja e mirëqenies sociale. Arkiduka Leopoldi II i influencuar nga ky libër e shfuqizon dënimin me vdekje në Dukatin e Toskanës më 30 nëntor 1786 duke u bërë kështu i pari shfuqizim i përhershëm në historinë moderne.
Republika Romane, një shtet jetëshkurter që lindi në tokat papale e shfuqizon në vitin 1849, Venezuela në 1863, San Marino në 1865, Portugalia në 1867 dhe keshtu një sërë shetesh që vazhdojnë deri në ditët e sotme.
Në kohët e sotme 107 shtete e kanë shfuqizuar ndëshkimin kapital, 54 shtete e kanë në përdorim aktiv, 7 shtete e kanë vetëm per krime të kryera në rrethana specifike, siç mund të jetë në gjëndje lufte dhe 27 shtete e kanë, por nuk e përdorin në praktikë dhe nuk kanë kryer asnjë ekzekutim në 10 vitet e fundit.
Janë disa arsye që në mendimin tim e bëjnë dënimin me vdekje jo vetëm të papranueshëm, por edhe të pa dobishëm.
Ne rradhë të parë, për shkak të natyrës së pakthyeshme dhe të parestaurueshme të pasojave të ndëshkimit kapital, ky bëhet i papranueshëm pasi ekziston mundësia që të vritet nga shteti një i pafajshëm. Nuk ka asnjë masë që mund të rikuperonte as pjesërisht dëmin e shkaktuar në një rrethanë të tillë. Në ShBA deri në vitin 2017, me shfaqjen e provave të reja, janë shfajsuar 159 persona më parë të dënuar me vdekje dhe nga viti 1976 janë ekzekutuar 1414 persona. Pra, del që mbi 10% e personave të dënuar me vdekje në fakt kanë qënë të pafajshëm. Vetëm ky fakt do duhet të ishte mjaftueshëm bindës mbi natyrën e papranueshme të kesaj forme të ndëshkimit penal.
Në shekullin XII dijetari ligjor hebre, Moses Maimonides, shkruan, “Është më mirë dhe më e pranueshme të shfajsohen mijëra fajtor sesa të vritet qoftë një njeri i pafajshëm”.
Në rradhë të dytë, nuk ka asnje provë bindëse që pasja në sistemin juridiko-penal parashikimin e ndëshkimit kapital ndikon në uljen e kriminalitetit në atë shoqëri. Sigurisht krahasimet e kriminalitetit mes shteteve të ndryshme që e kanë dënimin me vdekje me ato shtete që s’e kanë çalon për shkak të ndryshimeve socio-kulturore dhe politiko-ekonomike mes këtyre shteteve. Por një shembull i mirë për një analizë krahasimore është ShBA-ja, pasi brenda të njejtit komb kemi shtete që e kanë dënimin me vdekje dhe shtete që e kanë abroguar. Ne vitin 2018 vrasjet për 100,000 banorë ishin 5.34 në shtetet me dënim me vdekje dhe 4.1 në shtetet pa dënim. Nuk ka asnjë provë të besueshme që ndëshkimi kapital e pengon kriminalitetin më shumë sesa dënimet afatgjata.
Arguementi i tretë kundra dënimit me vdekje është natyra johumane dhe që cënon dinjitetin njerëzor. Të dënuarit që pas marrjes së dënimit deri në momentin e ekzekutimit kalojnë një kohë të gjatë të mbyllur në izolim në pritje të të pashmangëshmes. Në librin e tij, “Reflektime mbi gijotinën” Albert Kamy shkruan: “Një ekzekutim nuk është thjeshtë vdekje. Është aq i ndyshëm nga vrasja sa ç’është i ndryshëm kampi i përqendrimit nga burgu. Nëse do kishte barazvlefshmëri, do duhej të dënohej me vdekje një kriminel i cili e ka paralajmëruar viktimën mbi datën në të cilen do ta vrasë dhe i cili që nga momenti i paralajmërimit e mban viktimën të mbyllur diku në mëshirën e tij për muaj me radhë. Një monstër të tillë ne nuk e hasim në jetën e përditëshme.”
Në pikëpamjen time problemi më i madh ka të bëjë me vetë natyrën e dënimit me vdekje. E drejta për jetë është një e drejtë e pa tjetersueshme e cila garantohet nga kushtetuta, por nuk buron nga ajo apo nga organizimi shoqëror. Është e drejtë natyrore. Të gjitha të drejtat e tjera shoqërore si liria, fjala e lirë, liria e besimit, liria e mendimit, e drejta për punë, e drejta për të pasur familje etj.. derivojnë pikërisht nga ajo. Dhe shteti nuk mund të cënojë bazën e te gjitha lirive që garanton.
Njerëzimi ështe organizuar në shoqëri pikërisht për të shmangur arbitraritetin, për të gjetur menyra kolektive të të bërit drejtësi, duke u bazuar në parime që janë të dobishme për shoqerinë si të tërë dhe nëpërmjet një sistemi të paanshëm të shmangen ekseset emocionale në përcaktimin e sanksioneve penale.
Në bazë të kontratës sociale, ne jemi pergjegjës për cdo veprim që bën shteti, dhe shteti vepron në emrin tonë. Në rast se shteti me një vendim gjykate ekzekuton një person, atë e ka ekzekutuar në emrin tonë. Dhe të gjithe ne jemi përgjegjës. Pra vrasja e një vrasësi, e shënderron të tërë shoqerinë në vrasëse.
Dua ta mbyll me fjalët e Trond Blattman, babait të njërit prej 77 viktimave të Anders Breivik në Norvegji.
“Ne nuk kemi dënimin me vdekje në Norvegji, sistemi gjyqësor do e gjykojë dhe do e dënoje atë. Unë nuk dua të bie në të njejtin nivel që të them se kam të njejtën të drejte që ti mendoje se e ke, të vrasësh. Unë nuk e kam këtë të drejtë!”
©Rruga Press