Bota

Përshkallëzohet dhuna ndaj politikanëve në Gjermani, sulmohet anëtarja e partisë së Scholzit


Franziska Giffey, senatore nga Berlini dhe ish-kryetare e bashkisë së kryeqytetit gjerman është sulmuar nga një burrë në një bibliotekë lokale në sulmet e fundit ndaj politikanëve gjermanë nga aktorë të së djathtës ekstreme, shkruan BBC të mërkurën.

Giffey, figurë e njohur e Partisë Socialdemokrate (SPD) e kancelarit Olaf Scholz, u trajtua pak në spital pasi u godit në kokë dhe qafë me një qese “të mbushur me diçka të fortë”, ka thënë policia.

Politikanët janë vënë në shënjestër të sulmeve ditët e fundit, veçanërisht në Gjermaninë Lindore.

Kolegët reaguan të tronditur ndaj sulmit ndaj Franziska Giffey, senatores së Berlinit për ekonominë. Giffey shërbeu në qeverinë e fundit federale të Angela Merkelit si ministre për gratë dhe familjet përpara se të bëhej kryebashkiake e Berlinit në vitin 2021.

Lexo më shumë  Opozita akuzon kryeministrin sllovak Fico për përgatitje për dalje nga BE-ja

“Nuk ka asnjë justifikim për këto sulme. Një kufi është kaluar dhe ne si shoqëri duhet t’i rezistojmë me vendosmëri”, ka thënë Giffey.

Policia ka thënë se ka identifikuar autorin e dyshuar, por nuk dha detaje të tjera.

Të premten e kaluar, një kandidat gjerman për Parlamentin Evropian u sulmua rëndë teksa kishte vendosur postera në Dresden.

Matthias Ecke, 41 vjeç, iu desh të operohej në spital pasi u sulmua nga katër persona. Katër adoleshentë janë aktualisht nën hetim dhe të paktën njëri ka qenë i lidhur me të djathtën ekstreme.

Një punonjës i fushatës për të Gjelbrit në Dresden është rrahur dhe shkelmuar gjithashtu.

Një politikane e të Gjelbërve u sulmua nga dy persona teksa vendoste postera të martën në mbrëmje në të njëjtin qytet.

Lexo më shumë  Aksion i mirëorganizuar i ukrainasve, arrijnë të eliminojnë 21 ushtarë koreano-veriorë dhe të plagosin 40 tjerë në Kursk

Policia e Dresdenit ka konfirmuar se për rastin e politikanes ka arrestuar një burrë dhe një grua, që kishin bërë përshëndetjen e Hitlerit kur ajo ka filluar t’i vendos posterat.

Ministrat e brendshëm federalë dhe shtetërorë u takuan të martën për të vlerësuar se si t’i përgjigjen sulmeve.

Michael Stuebgen, ministri i Brandenburgut që kryesoi konferencën e ministrave të brendshëm, u tha gazetarëve se ligji penal nuk u jep më politikanëve dhe aktivistëve mbrojtjen e duhur.

Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), po kërkon vendin e dytë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian më 9 qershor dhe shpreson të bëhet partia politike dominuese në zgjedhjet shtetërore në Gjermaninë lindore në shtator.

Megjithatë, ajo është goditur nga akuzat për spiunazh.

Rruga Press

YouTube player