Përse “minishengeni ballkanik” nuk është “minishengen”
Nga Artan Fuga
Përtej asaj që “minishengeni ballkanik” është një fitore e shkëlqyer e diplomacisë të Serbisë, sikurse është edhe fakti që ajo ka arritur që rreth 15 vende që kishin njohur shtetin e pavarur të Kosovës, t’a kenë tërhequr këtë njohje, ka edhe një problem tjetër.
A ngjan ky “minishengen ballkanik” me Shengenin e madh europian, ose me hapjen e Gjermanisë dhe Francës dhe kapërcimin e rivaliteteve të vjetra të tyre në një Europë të Bashkuar?
“Minishengeni ballkanik” që në formë propagandistike përdor fjalën kyçe “Shengen” kërkon të shitet si Europa e Bashkuar, pra “mini”, sikurse janë veturat “mini”, pra me të njejtën motorr si veturat “maxi”, por “mini”, pra në përmasa më të vogla.
Sikurse kemi funde për gra, por kemi edhe “minifunde”!
Një gjë e kësaj natyre!
Mirëpo “minishengeni” ballkanik dhe Shengeni si simbolikë bashkëpunimi europian nuk janë e njejta gjë. E para sepse “minishengeni ballkanik” është ballkanik, pra në kushte krejt të tjera në krahasim me integrimin europian, dhe “mini” pra është një veçim, një njohje e izolimit nga Europa e Bashkuar.
Na krahasojnë me Francën dhe Gjermaninë që kapërcyen rivalitetet dhe luftrat në një Europë të bashkuar.
Pjellë e një arsyetimi naiv i bazuar në analogjinë e thjeshtë të një arsyeje minimale.
1. Franca dhe Gjermania ecën në këtë drejtim në kushte krejt të tjera. Ne kemi interes si shqiptarë të shkojmë drejt Evropës së Bashkuar dhe jo të rizhytemi në një det ku shqiptarët që mezi ngritën kokën të fundosen përsëri si minoranca të diskriminuara ekonomikisht, ndofta edhe politikisht.
2.Sepse në Europën demokratike ka mekanizma kontrolli social mbi politikën dhe vendim-marrjen e saj, kurse në Ballkan, i teket një qeveritari dhe bën minishengenin, pastaj bën edhe gjëra të tjera. Pra mungojnë instrumentet politike për një kontroll qytetar çka sjell mosbesim dhe ankth shumë legjitim.
3. Në vend të bashkohemi me BE ndërtojmë një bashkësi ballkanike që është një izolim dhe devijim nga rruga e Evropës. Serbia ende nuk të njeh pavarësinë e Kosovës,pra midis shqiptarëve dhe pjesës tjetër në Ballkan ka probleme sovraniteti. Kurse Franca dhe Gjermania nuk kishin të tilla mes tyre.
4. Në vend të hapemi në fillim ndaj Kosovës dhe pastaj të shohim si zgjerohet bashkëpunimi më tutje, ne braktisim Kosovën, vendosim taksa rrugësh, dhe hapemi ndaj një vendi që nuk e njeh fare Kosovën si shtet?
5. Përgjithësisht sllavët shohin gjeopolitikisht drejt një poli tjetër ushtarako-politik , e drejta e tyre, dhe shqiptarët nuk kanë të ardhme jashtë orientimit drejt Perëndimit, Natos, BE. Kurse Franca dhe Gjermania ecën drejt Bashkimit Europian duke qenë pjesë e të njejtin grupim politiko-ushtarak si NATO. Cfarë do të ndodhi nesër kur Shqipëria në Nato do të gjendet në një bashkësi që mund të jetë dhe ka qenë edhe me njësi shtetrore kundër kësaj aleance?
6. Nuk duhet të harrojmë se në Ballkan shqiptarët gjithmonë kanë qenë dhe janë ekonomikisht më të dobët, pra kanë nevojë t’a mbrojnë ekonominë e tyre, dhe se ne e kemi forcën gjeopolitike te Perëndimi. Mjafton të shohësh eksport – importet e Shqipërisë dhe t’i krahasosh ato me të Serbisë konstaton disbalancime që do t’i paguajmë shumë shtrenjtë sepse janë në disfavorin tonë. Kuptohet jo për fajin e Serbisë por tonin. Deritani është një marrëdhënie krejt asimetrike me tregun e BE që na ka shkundur, nesër kësaj do t’i shtohet edhe marrëdhënia ekonomike asimetrike me Serbinë ku prodhuesit shqiptar të lënë në mëshirë të fatit do të konkurrohen edhe më egër dhe pa asnjë mbrojtje doganore.
7. Për të hyrë në BE konsultohen me referendume popujt kurse qytetarin shqiptar kush e pyeti? Jo vetëm qytetarin, por as Kuvendin, as partitë politike, as elektoratin.
8. Gjermania dhe Franca gjetën atë rrugë të hapësirave të përbashkëta europiane kur brezi i tretë i tyre pas krimeve të luftës të nazizimit mbi popujt u fashitën disi nga historia, pra kur deshën t’i japin fund historisë të dhimbëshme. Kurse Shqipëria dhe Serbia nuk janë vrarë me njera tjetrën, sepse drama është zhvilluar në Kosovë. Prandaj edhe nën shembullin e Gjermanisë dhe të Francës, hapjen duhet t’a bëjë dhe ta pranojë fillimisht Kosova, sepse atje është bërë krimi kolektiv. Sepse midis Shqipërisë dhe Serbisë nuk ka pasur luftë!
9. Përmendet De Goli dhe Adenaueri, ndonëse nuk di nëse ata që e bëjnë këtë të kenë lexuar kujtimet dhe shkrimet e tyre. Kush është nga këta që janë tani në Ballkan Adenauri dhe De Goli, ku janë grupet e biznesit që e nisën këtë bashkim në Europë, ku është industria e çelikut, sikurse filloi gradualisht integrimi në Evropë, ku është komuniteti i fuqishëm hebre që e ngjizi hapjen e vendeve që përmenden dhe i vuri fre nacionalizmit, ku janë pendesat për krimet e luftës nga e cila kaloi paqja dhe hapja gjermano-franceze? Kurse në Ballkan me paqendrueshmëri lidershipi politik zgjidhjet janë shumë të përkohëshme prandaj asnjë marrëveshje nuk ka besë nëse nuk ka mbështetjen e hapur, të qartë, të prerë, konkrete, të aleatëve tanë perëndimorë si Shtetet e Bashkuara dhe Europa e Bashkuar! Përndryshe hyjmë në aventura që as dreqi nuk ua di fundin!
10. Franca dhe Gjermania erdhën kaq gradualisht me sprova besimi dhe mirëbesimi te Shengeni duke kaluar nga Traktati i Romës, nga zgjerimi hap pas hapi, nga Mastrichti, kurse ne direkt e te Shengeni që është hapi më i pjekur në hapjen e Europës.
11. Franca dhe Gjermania në histori kanë pasur përgjithësisht fe të njejta dhe vlera e tradita që në rrënjë kanë qenë pjesë e të njejtit civilizim. Kurse shqiptarët dhe sllavët në Ballkan për shkak të historisë kanë njohur drejtime identitare në vlera shumë të ndryshme. Nuk bëj etnocentristin për të deklaruar se vlerat e mia janë më të mira sesa ato të tjerëve, por dallimet kulturore, fetare, historike në Ballkan janë shumë të rëndësishme sesa gjetiu. E ka studjuar njeri se cili është ndikimi i tyre?
12. Franca dhe Gjermania hynë në një bashkëpunim europian ku BE krijoi edhe Komisionin si një organ ekzekutiv i përbashkët, si një lloj “qeverie” e përbashkët, krijuan parlamentin europian dhe të tjera struktura të përbashkëta. Do të kemi ne në minishengenin ballkanik një “qeveri” dhe “parlament” të përbashkët me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë?
Këto janë dallime që na e shkulin së paku arsyetimin analogjik, i cili e paraqet minishengenin ballkanik si BE i vogël, si “fundi” me “minifundin”, sepse po të jetë për hapje në Ballkan edhe unë jam, jam shumë, sigurisht, për paqe jo për luftë, për tregti, për komunikime, për mirëkuptim dhe jo për izolime, për t’i lënë pas plagët e së kaluarës dhe parë përpara, por jo për t’i harruar, sigurisht, për një ballkan që si gjithë Europa dhe në Europë në shekullin e 21 të jetë pa kufij, pa urrejtje, me mirëkuptim, madje edhe pa politikanë.
Cfarë ëndërre e bukur që ja vlen t’i përkushtohesh!
Por, këto vlera janë qëllime shumë të mira kurse hapat drejt tyre duhet të realizohen me kujdes, me platforma të studjuara, me konsensus politik!
Sepse në vend të shkojmë në Bruksel, përfundojmë vetëm në Beograd!
Kujdes sepse në vend të shkojmë si Ballkan të gjithë bashkë drejt Evropës të bashkuar kthehemi pas te “federata panballkanike” e Dimitrovit, te “bashkimi musolinan”, te “bashkimi doganor” I Enverit dhe Titos, te “aleanca ushtarake shqiptaro-jugosllave” e viteve 70, dhe në rastin më të keq te “Shqipëria si republikë e shtatë”, por sigurisht me emër tjetër!
Historitë me “koçi xoxe”, me “nako spiru” nuk duam t’i përsërisim!
Rruga Press